Mungesa e rezultateve konkrete për hetimet e atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoja ka sjellë reagimin e fortë të kreut të policisë, Ardi Veliu, i cili për herë të dytë brenda 24 orëve ka mbledhur drejtuesit e policisë, duke kërkuar angazhim të më shumë forcave të hetimit të krimit për zbardhjen e kësaj ngjarje. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit i ka mbledhur në mesnatë drejtuesit dhe grupin hetimor të policisë, duke sjellë kështu reagim të uniformave blu, të cilat gjatë një aksioni blic në pesë qytete kanë sjellë shoqërimin e 14 personave.
Burimet policore thanë se deri më tani janë shoqëruar 14 persona, të cilët janë marrë në pyetje e më pas janë lënë të lirë, ndërsa vijon puna për kapjen e atentatorëve të Prokurorit Arjan Ndoja dhe të fortit të Shijakut Landi Muharremi pranë mbikalimit të Shkozetit. Policia e Shtetit deklaroi se ka ushtruar kontrolle përgjatë mbrëmjes në 20 banesa në Krujë, Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Fushë-Krujë. Hetimet, aktualisht janë shtrirë në dy drejtime, një për veprimtarinë e prokurorit, por edhe të ndonjë atentati të mundshëm për ekzekutimin e Landi Muharremit. Gjithsesi nuk përjashtohet edhe mundësia që atentatorët kanë dashur t’i ekzekutojnë të dy personazhet, ndërsa nuk ekziston asnjë pistë për shoferin e prokurorit, i cili edhe ai mbeti i plagosur rëndë gjatë atentatit.