Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra gjyqtaren e apelit të Korçës, Brunilda Malo (Orhani). Kjo e fundit u hetua vetëm për kriterin e pasurisë ku u gjetën parregullsi dhe për këtë arsye KPK vendosi ta shkarkojë, pavarësisht kundërshtimeve të Malos, e cila ngriti pretendime për shkeljen e së drejtës dhe paragjykim të procesit.
Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar më 4 nëntor, Komisioni konstatoi si problem kryesor mungesën e dokumentimit të të ardhurave të përfituara nga bashkëshorti i ndjerë i subjektit si administrator dhe aksioner i kompanisë “D&G Construction”.
Aktiviteti privat i bashkëshortit Arben Malo, ish-kryebashkiaku i Kolonjës, i cili ndërroi jetë në vitin 2016 zuri një pjesë të rëndësishme të hetimit të KPK-së. Sipas relatores Valbona Sanxhaktari, fitimet e realizuara si administrator dhe aksioner i kompanisë “D&G Construction” nuk janë të dokumentuara si dhe nuk rezulton të jenë paguar tatimet mbi dividentin. Të ardhurat e deklaruara nga ky aktivitet si dhe nga shitja e aksioneve janë një burim i rëndësishëm i pasurive dhe shpenzimeve të familjes, me një vlerë të deklaruar prej 24.1 milionë lekësh.
Komisioni konstatoi se nuk provohet me dokumente tërheqja e dividentit dhe as pagesa e tatimit për fitimin e përfituar. Konkluzioni i Komisionit u mbështet gjithashtu tek një padi e të ndjerit Malo ndaj ortakëve të tjerë për shitjen e kuotave si dhe fitimin e pashpërndarë të kompanisë.
Si rezultat i përjashtimit të këtyre të ardhurave, subjekti rezultoi me pamundësi financiare prej 19.8 milionë lekësh. Ndërkohë, Komisioni evidentoi edhe pasaktësi dhe mospërputhje të tjera në deklaratat e pasurisë.
Brunilda Malo e ka nisur karrierën në sistemin shqiptar të drejtësisë në vitin 1995 si gjyqtare në Kolonjë. Në vitin 2003, ajo është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Korçës, detyrë të cilën e mban edhe aktualisht.
Gjatë hetimit administrativ, Malo kërkoi përjashtimin e trupës gjykuese me pretendimin se nuk kishte marrë në shqyrtim provat e dorëzuara prej saj si dhe për shkelje të të drejtës për t’u njohur me vlerësimin e dy kritereve të tjera. Kërkesa u rrëzua nga një trupë tjetër gjyqësore.