Grupi i goditur për grabitjen e 110 milionë lekëve në postën e Krujës mund të cilësohet një “xhevahir” për policinë, që dyshon se ata kanë kryer edhe ngjarje të tjera të ngjashme, për të cilat ka nisur hetimi. Kjo për shkak të një personazhi të krimit, konkretisht Andi Rexhepi, i cili më herët ka mbajtur mbiemrin Paturri, por edhe për shkak të provave të shumta që u janë sekuestruar dhe sendeve të vjedhura që u janë gjetur gjatë kontrolleve personave dhe në banesa.
Paturri dyshohet se ka qenë kreu i kësaj bande grabitësish, por edhe një bande të goditur 2 vite më parë në Greqi. Banda e shqiptarëve në Greqi, e drejtuar nga Paturri, ka kryer vjedhje të shumta në apartamente luksoze dhe mësohet se pre e grabitjeve të tyre kanë rënë edhe shtëpitë e personazheve të njohur në Greqi si Nikos Vertis, apo e ish-bashkëshortit të këngëtares Elena Paparizou, menaxheri i artistëve Tony Mavridis etj. Prokuroria e Athinës ka të dokumentuar 9 vjedhje të kryera nën kërcënimin e armës, mes të cilave 18 makina si dhe 3 herë tentativë vrasje kundër policisë. Po ashtu sipas autoriteteve greke, Rexhepi është arratisur nga burgu i Tiryns në mars të 2016, në të cilin thuhej se ishte një nga më të tmerrshmit aty. Më tej, po sipas autoriteteve greke ai akuzohet se ka aksidentuar për vdekje një person në Shqipëri
Edhe i arrestuari tjetër për grabitjen e postës, Gazmir Saka rezulton me rrezikshmëri të lartë. Ai është një nga të arrestuarit që hapi zjarr kundër policisë në rrugën e Rinasit në 2011. Nga përplasja me armë e vitit 2011, midis policisë dhe grupit kriminal, ku ishte pjesë Saka, ka pasur si bilanc 1 të plagosur, 6 të arrestuar dhe 150 kg kanabis të sekuestruar. Tre makinat transportonin 150 kg lëndë narkotike, por janë ndeshur me armë me forcat e policisë. Luftimi me armë ka zgjatur vetëm disa minuta, më pas personat që transportonin drogën, të rrethuar nga forcat e policisë, kanë vendosur të dorëzohen.