Artur Kalaja kalon vettingun

AKTUALITET


Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë gjyqtarin e Apelit të Tiranës, Artur Kalaja, pavarësisht dyshimeve të shumta që u ngritën në seancën dëgjimore për pasurinë e tij, ku ai u përball me dyshime për “trajtim preferencial”.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ngriti pikëpyetje mbi një kontratë sipërmarrjeje të bashkëshortes së gjyqtarit Kalaja si dhe përfitimin e 24 milionë lekëve të babait në AKPP. Sipas dokumenteve, bashkëshortja kishte përfituar një apartament, një dyqan dhe një garazh nga ndërtimi i një pallati në tokën e saj. KPK ngriti dyshime se ajo kishte përfituar më shumë metra sesa në kontratë, por kjo u kundërshtua nga gjyqtari Kalaja, duke deklaruar se kishte përfituar më pak si vlerë, pasi dyqanin do e merrte në katin e parë dhe e ka marrë në katin e dytë, që ka gjysmën e vlerë.

Po ashtu, KPK ngriti dyshimet se Kalaja s’ka paguar detyrimet doganore të makinës së blerë në Gjermani në vlerën 14 mijë euro. Por, gjyqtari pretendoi se personi që ia ka shitur i ka vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin.

Sipas KPK-së gjithashtu Kalaja në deklaratën periodike nuk ka deklaruar të ardhurat nga qiraja e zyrës në vlerën 200 euro në muaj, të cilën e ka deklaruar vetëm në deklaratën vetting. Ndaj tij gjithashtu janë konstatuar dhe 6 denoncime, të cilët pas verifikimeve nuk përmbanin fakte dhe rrethana mbi kriterin profesional.

Kalaja tha se i plotësonte të gjithë kriteret për të vazhduar detyrën. “S’kam pasuri të paluajtshme, kam vetëm dy mjete. Kam dy fëmijë në shkollë publike,” shpjegoi mes lotësh gjyqtari, i cili falënderoi trupën gjykuese për vlerësimin që i kishin bërë figurës dhe profesionalizmit, për të cilat nuk i gjetën probleme. Në fakt, vlerësimin profesional, ai e kishte kërkuar vetë, duke qenë se është hetuar edhe nga KLD për vendimin e marrë për pafajësi ndaj Hakmarrjes për Drejtësi. Sipas KLD-së gjyqtarët dyshoheshin se “haptazi nuk i janë referuar ligjit ose fakteve për shkak të pakujdesisë së rëndë ose dashjes; apo në mënyrë të pajustifikuar, kanë kryer akte dhe sjellje të papërshtatshme gjatë ushtrimit të detyrës ose jashtë saj, që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit ose që dëmtojnë rëndë besimin e publikut në sistemin gjyqësor”.

Në fund pas shqyrtimit të dokumenteve dhe kontrollit në tre shtyllat e vettingut, pavarësisht dyshimeve të shumta të ngritura ndaj tij, komisioni vendosi konfirmimin në detyrë. Artur Kalaja e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000. Ai ka punuar si gjyqtar i Gjykatës së Elbasanit, ndërsa në vitin 2006 është emëruar anëtar i Gjykatës së Apelit të Tiranës, detyrë të cilën vazhdon ta kryejë edhe pas 13 vitesh. Madje, ai konkurroi edhe për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.



Skip to toolbar