Basha: Rama do Kushtetuesen, për shkarkimin e Metës dhe 30 qershorin

POLITIKË


Përplasja e krijuar me Gjykatën Kushtetuese solli dhe reagimin e kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha duke e cilësuar këtë situatë si një teatër 3 ditor që bëhet nga Rama për të kapur Gjykatën Kushtetuese, pasi ajo do të vendos për dy çështje mjaft të rëndësishme si zgjedhjet e 30 qershorit dhe shkarkimin e presidentit Meta.

Basha tha se SPAK dhe BKH janë jetike për të luftuar krimin dhe korrupsionin, por që po vonohen qëllimisht për të zvarritur Reformën në Drejtësi. “Gjatë 3 ditëve të fundit kemi qenë dëshmitarë të një ngjarjeje të paprecedentë në historinë 30-vjeçare të Shqipërisë të mbushur me ngjarje të rënda sa i përket aspektit kushtetues, sa i përket marrëdhënieve të institucioneve dhe përpjekjeve për të kontrolluar politikisht drejtësinë. Rasti i përpjekjes së Edi Ramës për të kapur Gjykatën Kushtetuese tregon më qartë se kush nuk e do drejtësinë e pavarur. Shkelja e vazhdueshme e Kushtetutës, kapja e çdo institucioni është rregulli i kësaj qeverisje. Kjo qeveri kërkon të uzurpoj kompetencat e një institucioni tjetër që të kapi një anëtar dhe lehtësia që u mundua ta kaloj këtë, tregon dimensionin kriminal të kapjes së çdo institucioni. Teatër tre ditor me Gjykatën Kushtetuese, se e dimë që do gjykojë çështje urgjente siç është 30 qershori, iniciativa për të shkarkuar presidentin. Por Gjykata Kushtetuese është dhe një nga kushtet e Europës dhe nuk mund të bëhen makinacione të tilla. Pse vonohen SAK dhe BKH? Ato janë jetike për luftën e krimit dhe korrupsionit. Kërkojnë të bllokojnë reformën në drejtësi“, tha Basha.

I pyetur për rezolutën që u votua në Kuvend gjatë seancës së jashtëzakonshme duke cilësuar “dekret nul” emërimin e Marsida Xhaferllarit nga Presidenti Meta, Basha tha se një rezolutë e tillë nuk është e vlefshme, pasi parlamenti është ilegjitim. Basha tha se kjo rezolutë është votuar nga disa “pseudoparlamentar” dhe çdo rezolutë e miratuar pas 18 shkurtit 2019 në këtë parlament ilegjitim do të zhbëhet. “Nuk ka parlament, por strehë të parlamentarëve, që nuk e dimë kush janë aty, por e dimë kush i ka çuar dhe ka disa pseudoparlamentar për të gënjyer vetveten. Çdo akt i këtij pseudoinstitucioni për ne është i pavlefshëm dhe çdo rezolutë pas 18 shkurtit do të zhbëhet”, tha Basha.  

Në lidhje me deklaratën e kryeministrit Rama në Parlament, i cili tha se për të gjitha veprimet për sa i përket Gjykatës Kushtetuese, ka patur mbështetjen e atyre që kanë iniciuar reformën në drejtësi, Basha tha se Rama preferon të fshihet pas ndërkombëtarëve, por nuk beson se ato mbështesin atë të shkelë Kushtetutën.

Rama preferon të fshihet pas grave apo pas ambasadave. Mirënjohje për ndërkombëtarët që kontribuuan për reformën në drejtësi. Nuk besoj se janë ndërkombëtarët ata që mbështesin Ramën të shkeli Kushtetutën apo kapi drejtësinë. Rama nuk mban asnjëherë përgjegjësi, por ua delegon ato të tjerëve” u shpreh Basha, i cili foli edhe për Reformën Zgjedhore duke akuzuar PS se nuk dëshiron që të bashkëpunojë . “PD mirëpret çdo bashkëpunim me aleatët dhe pozitën si dhe ka paraqitur një plan me 5 pika për Reformën Zgjedhore. Është PS ajo që nuk dëshiron të ketë asnjë bashkëveprim.”

Basha tha se zgjidhja e vetme për të dalë nga kriza që është futur vendi, janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. “Zgjidhja është fundi paligjshmërisë, padrejtësia dhe paligjshmëria e thellon krizën. Nuk kemi më kohë, vendi kërkon zgjidhje dhe zgjidhja është zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.”



Skip to toolbar