Nis hyrja në “Air Albania Stadium”, me dy kontrolle të rrepta sigurie

AKTUALITET


Kjo është ndeshja e parë, kur kombëtarja kuqezi do të luajë në ‘Air Albania Stadium’, ndërkohë që luhet kund kampionëve të botës në fuqi. Kjo ka bërë që masat e sigurisë të jenë më të forta se asnjëherë më parë.

Rreth 800 policë, 360 stjuartë dhe 150 studentë të sportit janë angazhuar për të kontrolluar dhe orientuar tifozët, të cilët në hyrje, e cila nis në orën 18:00, i nënshtrohen dy kontrolleve të rrepta sigurie.

Duke qenë se kjo është hera e parë për tifozët dhe nuk e njohin mirë stadiumin, FSHF ka menduar që të angazhojë 150 studentë nga Akademia e Sporteve që do të orientojnë tifozët të zënë vendin e tyre në shkallët e stadiumit. Tifozët, fillimisht do i nënshtrohen kontrollit nga policia, disa metra larg nga hyrja e stadiumit dhe më pas nga policët privatë, që janë 360 të tillë.

Po ashtu, edhe gjatë zhvillimit të ndeshjes, si Policia e Shtetit, ashtu edhe ajo private do të jenë të pranishme në ambientet brenda dhe përreth stadiumit.

Ndërkohë, policia duke pasur parasysh figurat që do të jenë të pranishme gjatë zhvillimit të ndeshjes, ka angazhuar edhe policinë antikrim në ambientet e stadiumit, me qëllim për të shmangur çdo incident të mundshëm.

Përveç koncertit festiv që do të moderohet nga Ardit Gjebrea, koreografisë në fushë me 400 fëmijë dhe spektaklit të dritave, Federata Shqiptare e Futbollit ka menduar edhe për dekorin e kësaj sfide, i cili do të jetë i veçantë. 21 mijë flamuj kombëtarë janë shpërndarë nëpër ulëse dhe çdo tifoz do të ketë flamurin e tij për ta valëvitur në çastin kur ekipet do të zbresin në fushë, çka do të krijojë një moment vërtet emocionues në stadium.



Skip to toolbar