Debati dhe ngërçi i krijuar për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese ka bërë që SHBA, si investuesi dhe aktori kryesor i zbatimit të Reformës në Drejtësi, të rekomandojë marrjen e opinionit të Venecias në lidhje me përplasjet ligjore e kushtetuese të krijuara në skenën e politikës shqiptare.
Duket se kjo është zgjidhja që SHBA i propozon politikës shqiptare duke gjetur një rrugë të mesme por që në thelb synon njohjen e Arta Vorpsit në Gjykatën Kushtetuese. Kjo nisur edhe nga precedentët e vendimeve të mëparshme të Komisionit të Venecias që ka njohur betimet e noterizuara të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, pas qenë nevoja që anëtarët të betohen në presidencë, njëlloj siç bëri Vorpsi. Duket se pikërisht kjo është arsyeja që SHBA propozon që çështja të shkojë në Venecia dhe ky qëndrim i SHBA ka bërë që presidenti Meta të shpërthejë në sulme ndaj saj.
Në deklaratën e tyre SHBA bën thirrje që palët kundërshtuese të respektojnë opinionin e Venecias, duke i dhënë një mesazh të qartë kreut të shtetit Ilir Meta, i cili ka krijuar një përplasje e re mes institucionit të KED dhe Presidencës, përplasje që përfundoi me një dekret antikushtetues për emërimin e Marsida Xhaferllarit dhe një padi penale ndaj kreut të KED, Ardian Dvorani.
“Reforma në drejtësi është një nga prioritetet më të larta të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri. Përparimi i vazhdueshëm i reformave është thelbësor për çuarjen përpara të qëllimit tonë të përbashkët të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Tashmë Shqipëria ndodhet në prag të ringritjes së Gjykatës së saj Kushtetuese, një hap madhor në procesin e reformës në drejtësi. Megjithatë ky përparim i nevojshëm ka ngecur për shkak të interpretimeve të ndryshme ligjore të procesit të emërimit, parashikuar nga kushtetuta shqiptare dhe ligjet për zbatimin e reformës në drejtësi.
Institucionet gjyqësore shqiptare, kushtetuta dhe ligjet për zbatimin e reformës në drejtësi, duhet të udhëheqin procesin e zgjidhjes së këtyre intepretimeve të debatuara.
Në mungesë të një institucioni të përshtatshëm ligjor, i cili mund të vendoste mbi intepretimet e kundërta, Shtetet e Bashkuara mbështesin çuarjen e çështjes në Komisionin e Venecias, si një palë e tretë kompetente dhe e paanshme, për opinionin e tij ligjor. Gjithashtu, nxisim palët kundërshtuese që të respektojnë opinionin ligjor të Komisionit të Venecias. Ecja në këtë drejtim do të ishte tërësisht në përputhje me aspiratat europiane të vendit.
Teksa Shqipëria ndërmerr këto reforma thelbësore, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë në krah të saj si një vend mik, partner dhe aleat” shkruhet në deklaratën e SHBA.
Më herët edhe Ambasadori italian Alberto Cutillo tha se Gjykata Kushtetuese duhet të ngrihet sa më parë, por mbi rregulla të qarta duke këshilluar që për ngërçin e krijuar palët t’i drejtohen për mendim Komisionit të Venecias.