Analisti Skënder Minxhozi u shpreh në “Real Story”, se reforma në drejtësi u “mor zvarrë” nga politika në dy vitet e fundit. Duke iu referuar krizës politike aktuale, por dhe atë të vitit 2017, Skënder Minxhozi u shpreh se kjo krizë politike ka influencuar mbi reformën zgjedhore.
“Në këtë sherr politik po diskutohet në thelb Reforma në Drejtësi. Më 2016 e kemi votuar në unanimitet këtë reformë, nuk ka një deputet që të thotë se ishte kundër. Problemi është se kur u hap seanca dhe Meta ishte kryetar Kuvendi, të 140 deputetët bashkë me të votuan pro reformës. Ne këtë reformë e kemi marrë zvarrë nëpër dy dimra shumë të mëdhenj politikë, që nuk mund të mos e influenconin”, tha Minxhozi.
Më tej, Skënder Minxhozi u shpreh se reforma është ende një “kantier ndërtimi”, ndaj sipas tij, duhet të pritet përfundimi i saj, për të parë rezultatet konkrete.
“Reforma kaloi dhe mori formë në mesin e një antagonizmi të skajshëm. Reforma është kantier akoma, nuk i ka mbyllur qepenat, por notat ose funeralin mund t’ja këndojmë, kur të ketë mbaruar. Tani jemi në fazën përmbyllëse për kryeprokurorin. Për mua Arta Marku është e skualifikuar, s’ka asnjë meritë, duhet të mbetet e përkohshme”, tha Minxhozi. /Realstory.al/