“Pesë raste s`janë përgjegjësi personale”, Minxhozi: Më vjen mirë që SPAK reagoi

Për analistin Skënder Minxhozi, lajmi i mirë pas publikimit të videos së Lefeter Allës, që shfaqej duke thithur kokainë, ishte fakti që SPAK reagoi shpejt. Në “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, Minxhozi tha se ai i beson kredencialeve të gazetarit Artan Hoxha. Por, Për analistin Minxhozi, problemi nuk është më as sistemi zgjedhor, as listat e as Kodi Zgjedhor. Sipas tij, problemi është mungesa e garës brenda partive për zgjedhjen e personave që futen në lista.

“Më vjen mirë që SPAK reagoi shpejt. Të gjitha palët janë thirrur aty. Pesë gjashtë raste nuk janë më përgjegjësi personale. Problemi është se në kuadër të kushteve të ligjit të dekriminalizimit, në një proces zgjedhor kur s`ke pasur kundërshtarë zgjedhor, çfarë të ka penguar të gjesh njerëz që nuk kanë cene? Unë nuhatjes dhe frikës së Artan Hoxhës në sensin pozitiv, unë i besoj. Është një nga njerëzit që ka folur në situata të vështira. E dimë se çfarë roli ka pasur në 21 janar. Personazhi që ka nxjerrë videon i ka kredencialet në rregull.

Pasoja kryesore është e karakterit politik. Kriza e vërtetë nuk është e sistemit aktual zgjedhor, as e kodit elektoral, por një krizë që është një hap përpara. Nuk janë zgjedhjet e lira në rang Shqipërie, por zgjedhjet e lira brenda partive. Këtu nuk ka përveç selektimit subjektiv të kryetarëve të partive, unë nuk shoh as një forum ku të diskutohet për emrat. Këtu vjen emri ditën e fundit që duhet të shkojë në KQZ se kështu e do kryetari i partisë”, tha Minxhozi./Realstory.al/

Skënder Minxhozi: Dita kur Ilir Meta bënte mirë të heshtte

Nga Skënder Minxhozi

Të dish të heshtësh, shumë shpesh, është po aq e rëndësishme sa të dish të flasësh. Një mësim i thjeshtë jete për cilindo që ka provuar me pezmatim koston e fjalëve të thëna pa vend. E kishte një rast për të heshtur edhe presidenti i Republikës sot, më 21 janar, por vendosi ta shpërfillë. Paçka se Ilir Meta është ndoshta njeriu më i interesuar në këtë vend, që të mos hyjë në hollësitë e kësaj date, kur fati i tij politik u përkthye brenda orësh në një tragjedi që vazhdon të mbajë pezull një pjesë të kujtesës tonë kolektive.

Lexojeni çfarë na thotë sot Presidenti për 21 janarin e vitit 2011: Ai 21 janar na kujton se politika ka përdorur dhunën për të arritur objektivat politike në mënyrë të pandershme! Pra, sipas presidentit, edhe nëntë vjet pas atij krimi shtetëror të pandëshkuar ende, teorema mbetet ajo më banalja, e prodhuar pak orë pas vrasjeve: opozita manipuloi protestuesit, ju mbushi xhepat me gurë dhe i yshti për dhunë ndaj godinës së qeverisë dhe i shtyu drejt dhunës.

Se ç’ndodhi më pas, se cila qe dinamika e asaj që pasoi, fajtorët e humbjes së jetëve, e vërteta mbi shkallën dhe përmasat e dhunës, tensioni real që u prodhua në bulevard, sjellja e policisë, Gardës, fakti që vetëm njëra palë posedonte dhe përdori armë, vendi ku u vranë viktimat (larg perimetrit të Kryeministrisë) – të gjitha këto nuk kanë as edhe një gram rëndësi për Ilir Metën. Për të ka rëndësi të kapet fort, si aleati i tij më jetëgjatë në politikën shqiptare, Sali Berisha, pas qerres pa rrota të grushtit të shtetit, të cilën s’e besoi as edhe për sekondë as ai që e shpiku.

Deklarimi i Presidentit se 21 janari ishte fryt i protestuesve të manipuluar, e jo i shtetit me kobure në brez e të dalë mendsh, është në fund të fundit një përpjekje e tij për të shpëtuar alibinë politike të janarit 2011. Kjo duket dhe është e lexueshme që larg. Pyetja është një tjetër: përse Ilir Meta kërkoi të zbulojë kot petët e këtij lakrori të sikletshëm sot, kur mund të kishte hedhur në rrjetet sociale ndonjë nga fotot me ngjitje malesh apo me fitoret e Celltikut? Pse kërkoi të kthehet në vendin e një krimi shtetëror, duke e ditur se 21 janari është një ndër ato ngjarje kur shteti ka vetëm alibinë qesharake dhe krejt cinike “s’kam faj unë pse erdhët, meqë erdhët ju vrava”!

Është krijuar një komision hetimor për puçin e 21 janarit. Njëri ndër turpet e parlamentarizmit shqiptar. Një komision me tre kryetarë që shkonin e vinin, por pa raport final. Kërkojeni raportin final të këtij komisioni, pyesni edhe juristët e famshëm të PD në Kuvend që kanë qenë anëtarë të tij. Ku e kanë raportin nal të punës së tyre hetimore? S’ka raport sepse s’ka patur puç! Ka patur vetëm një vrasje në seri në bulevard, e që sot Ilir Meta bën sikur s’e kujton. Logjika e Presidentit rezonon në mënyrë shumë të çuditshme me atë që ndodhi vitin e shkuar në të njëjtin vend, pra tek kryeministria.

Me këtë manipulimin e protestuesve që thotë Meta, i bie që në dhjetë protestat e dhunshme të opozitës nga shkurti deri në majin e vitit 2019, të ishin vrarë nja 50-60 veta dhe qeveria të mos merrte asnjë përgjegjësi mbi vete. Sepse, siç ka thënë Presidenti, “ai 21 janar na kujton se politika ka përdorur dhunën për të arritur objektivat politike në mënyrë të pandershme”. Po e berë në det, thonë vlonjatët, kripa ta sjell në gjellë. 21 janari tashmë është një ngjarje që mund të zbardhet vetëm nga SPAK. Është detyrim historik ndaj të vrarëve, që të bëhet transparencë mbi atë akt ekstrem të papërgjegjshmërisë shtetërore. Ndoshta kështu do të moderojnë fjalët edhe ata që janë mësuar të vijojnë me përrallat bajate të propogandës zyrtare të asaj kohe të çmendur, kur shteti vriste shtetasit e vet…

“Në 2020 nuk cenohen Rama, Basha dhe Meta”, Minxhozi: Ndryshimi vjen nga drejtësia

Analisti Skënder Minxhozi u shpreh në “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, se gjatë vitit 2020 në Shqipëri nuk do të cenohet pushteti i Kryeministrit Edi Rama, kreut të opozitës Lulzim Basha dhe nuk do të cenohet as mbiemri “Meta” në LSI. Megjithatë, për Skënder Minxhozin e vetmja dritë në fund të tunelit është vënia në funksion e institucioneve të reja politike. Sipas Minxhozit, kasta aktuale politike nuk ka fuqi për të bërë ndryshimin.

“Kur analizojmë vetëpastrimin e partive politike shqiptare, unë mendoj që gjatë 2020 duhet t’i përgjigjemi tre pyetjeve të thjeshta. A do të cenohet pushteti i Ramës? A do të cenohet pushteti i Bashës dhe a do të cenohet mbiemri Meta? Përgjigja ime është jo. Ndaj kjo më jep të kuptoj se proceset e reja politike shtetformuese, si ndryshimi i Kodit Zgjedhor, etj”, tha Minxhozi

“Unë jam i bindur se opozita me një imponim më të fortë se sa ky, opozita do të kishte një rezultat më të madh, ku në këtë emergjencë të madhe jo ti jepte dorën Ramës, por të ballafaqonte idetë. Në kushtet ku ndodhemi, unë them se drita në fund të tunelit është ajo që ka qenë në fund të vitit 2014. Ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë janë i vetmi element i ri që janë futur në Shqipëri. Ky faktor do të jetë e vetmja dritë në fund të tunelit. Kasta politike shqiptare nuk ka fuqi për ndryshim”, tha Minxhozi. /Realstory.al/

Minxhozi: Nga 1 janari nis një lojë e re

“Politikanët e sotëm nuk ditën, dhe Rama është një nga ata, që të jenë brezi i parë i Shqipërisë normale, por u skeduan si brezi i fundit i radhës i tranzicionit.”. Kështu deklaroi analisti Skendër Minxhozi mbrëmjen e sotme në emisionin ‘Real Story’ në ‘News24’. Teksa analizoi vitin që po lëmë pas, Minxhozi tha se nga 1 janari, nis një lojë e re, kohë kur nis edhe puna e SPAK. Po ashtu ai tha se sot janë djegur të gjitha alternativat politike, ndërsa shtoi se  politikanët e sotëm, mes tyre dhe Rama, janë skeduar si brezi i fundit i radhës në tranzicion.

“Që nga 20 dhjetori është zhdukur një pjesë e prokurorisë dhe ka hyrë zyrtarisht në fuqi ai që e kemi lakuar gjatë gjithë vitit që nuk vinte, që është  SPAK. Tani bien alibitë që me sistemin e ri të drejtësisë ne nuk kemi më rezultate, ose kemi. Do të shohim. Loja është e hapur. Në 1 janar, teorikisht, nis një lojë e re. Nëse në 97-ën gjysma e politikës shqiptare, që i binte pak a shumë e majta ish-komuniste, nuk e kishte provuar qeverisjen, se e tillë erdhi si ngjarje, sot kemi djegien e të gjitha alternativave, ose mos suksesin e të gjitha alternativave. Politikanët e sotëm nuk ditën, dhe Rama është një nga ata, që të jenë brezi i parë i Shqipërisë normale, por u skeduan si brezi i fundit i radhës i tranzicionit.

Ai shtoi më tej se: “Po e përdorim këtë bilanc të 2019-ës për të bërë edhe një bilanc më të gjerë, të atij që është konsideruar si ‘tuneli i tranzicionit’ që ka disa stacione. Disa prej tyre po i analizojmë. Jam dakord me atë procesin e tjetërsimit të politikës, nga një lojë ose garë ideologjish, tezash, ideshë, në një arenë cirku ku luajnë faktor ekstra-politik që ia humbasin në fund fare atë që është ADN-ja, pra që të kthesh të pamundur të mundur. Sot kemi një faktor gjithnjë e më prezent, siç është i botës së biznesit. Nëse evokojmë 20 vite pas në biznesin e kohës që po analizonim, ishin disa personazhe groteskt, që luanin me paratë e xhepave të shqiptarëve dhe që nuk kishin asnjë lloj investimi. Sot duhet ta themi, kemi një korpus të fuqishëm të biznesit në Shqipëri, që akuzohet dhe se luajnë me paratë e shqiptarëve dhe kanë kapur vendimmarrjen”, tha Minxhozi.

Protestat dhe ndërkombëtarët, Lubonja përplaset me Minxhozin e Rakipllarin

Krahasimi mes vitit 1997 dhe vitit 2019 për zhvillimet politike ka sjellë edhe një debat në Real Story mes të ftuarve të Sokol Ballës, ku analisti Fatos Lubonja u shpreh se ndërkombëtarët në Shqipëri, si në atë kohë, edhe sot, kanë qenë gjithmonë me pushtetin.

Lubonja kujton se edhe në vitin 1997, kur sipas tij, njerëzit e Berishës rrihnin gazetarët dhe nuk kishte fjalë të lirë, ndërkombëtarët ishin me ish-presidentin. Sipas tij, edhe më 2019, ambasadorët në Tiranë po mbështesin një regjim. “Një ndryshim në lidhje me ndërkombëtarët, shkurt. Ndërkombëtarët, mos të harrojmë se edhe atëherë kanë qenë deri vonë, deri në shkurt të vitit 1997 mund të themi me pushtetin dhe jo me opozitën, me gjithë ata gjëra që kanë ndodhur. Dhe vetëm kur e bëri fakt të kryer situatën, për mendimin tim populli që u ngrit dhe gjithë ajo katrahurë që u krijua, dhe një shkrim i famshëm i ‘Indipendent’ i asaj kohe ‘Ky regjim gangsterësh që ne mbështesim’, që ne mbështesim ose financojmë nuk e mbaj mend saktë, atëherë filloi ndryshimi”, tha Lubonja.

Kjo është komentuar edhe nga Robert Rakipllari, që sipas tij ishte e gabuar. “Ai rezultoi një veprim i gabuar, i cili i la mundësinë kryeministrit që të shtonte pushtetin e tij në parlament, në pushtet lokal etj dhe sot jemi para kësaj situate, ku kryeministri Rama kontrollon të gjitha pushtetet në Shqipëri”, tha Rakipllari, duke i kujtuar Lubonjës se në atë kohë amerikanët kundërshtuan zgjedhjet lokale që më 1996 dhe përplasja e ish-presidentit Berisha me amerikanët ka nisur që me zgjedhjet.

Duke folur mbi çështjen e zgjedhjeve të vitit 1997, Skënder Minxhozi kujtoi se në atë kohë, SHBA ka kërkuar përsëritjen e zgjedhjeve në 40 zona, ndërsa Berisha i përsëriti në 18 zona. “Pasi ai nuk pranoi 40 zonat, të gjithë perëndimorët kërkuan përsëritjen e zgjedhjeve të 26 majit”, tha Minxhozi.

Pjesë nga debati në Real Story

Fatos Lubonja: Në tërësi ka qenë mbështetje e gjerë e tyre dhe ne që bënim protesta atëherë, meqë më përmendi amerikanët se nuk doja të kthehesha te 1997, kur kam shkuar për t’u ankuar se na rrahu Sali Berisha ose na mbylli, ku di unë aty më tha ajo e të drejtave të njeriut të ambasadës, që unë jam shumë e lumtur që kam ngrënë dje, parmbrëmë një darkë me presidentin Berisha. Pra ky ka qenë qëndrimi në tërësinë e vet. Për mua, këtu ka munguar populli dhe a e bënte dot, që ndodhi gjithë ajo ngjarje dhe u ndërhy pastaj u bë siç e dimë. Mos harrojmë se Berisha u zgjodh edhe më 3 mars, u bë president pa e çarë kokën, kur u dogj gjithçka. Këtu tani vijmë tek e sotmja, te situata e sotme. Nuk jam dakord me Bertin për një gjë, se Berti e quan pjekuri të popullit shqiptar këtë.

Robert Rakipllari:  Emancipim të shoqërisë shqiptare në një farë mënyrë që nuk shkon në përplasje them unë.

Fatos Lubonja: Jo, jo, për mua jo. Unë them këtë. Për mua këtu nuk kemi të bëjmë me emancipim. Këtu është zhgënjim me klasën politike, mungesë besimi për t’u …sepse situatat që të dalësh e të kërkosh një ndryshim me forcë, nuk po them duke djegur, duke vrarë ose duke u bërë, se dhe atje protesta bënin, vrasjen e bëri Berisha. Kjo nuk është pjekuri e popullit shqiptar, por një zhgënjim dhe nënshtrim për mua Opozita u motivua për paratë e jo për demokracinë. Se më 1996 dolën 3 mace aty. 1994 e kapërceu ai, mbështetje kishte, Forestin me vete. 1996 e bëri, pushtetin e mori.

Skënder Minxhozi: U rrëzua pastaj.

Fatos Lubonja:  Po mos kishin rënë Piramidat, do të kishim diktatorin.

Robert Rakipllari:  Kishte shumë popull që mbështeste opozitën këtë vit, nuk mund ta injorojmë.

Fatos Lubonja: Kishte popull, por jo aq sa duhej.

Skënder Minxhozi: Popull nuk kishte. Nëse kishte popull, pse nuk prodhoi asgjë?

Fatos Lubonja:  E patë ju çfarë bëri Astiri? Sepse u vodh vetë, jo se ka koshiencë. Është pyetja ne do presim të bëhemi si Astiri? Duhet të mësojmë që mos shkojmë te Astiri.

Minxhozi: Jo të gjitha Çadrat janë njëlloj

Nga Skënder Minxhozi

Një javë nga tërmeti më shkatërrimtar i 40 viteve të fundit, politika shqiptare nuk ka gjetur kohë dhe vullnet që të shihet në sy e të ulet e të flasë mes vetes, për mënyrën sesi vendi do të dalë nga tuneli i errët i tragjedisë ku e futi forca e verbër e natyrës.

Në këto ditë emergjencash ekstreme, me të vdekur e të plagosur që nxirreshin nga rrënojat, palët politike kanë rënë dakord për një “antantë” krize, diçka mëse e domosdoshme dhe e lavdërueshme për të siguruar një minimum normaliteti në mes të rrënojave. Është merita kryesisht e opozitës që është instaluar ky pakt mossulmimi në distancë, e kjo i ka dhënë një imazh serioz e konstruktiv Bashës e krerëve të partive të tjera opozitare.

Këto orë po flitet ndërkaq për një hap tjetër, më të avancuar, drejt uljes së armëve mes qeverisë dhe opozitës. Edi Rama ka kërkuar në mënyrë të përsëritur që të ketë një takim me Lulzim Bashën, për të shqyrtuar idetë dhe propozimet që pakica ka, në lidhje me daljen nga kriza humanitare dhe për rindërtimin e zonave të shkatërruara nga tërmeti. Nga ana e tij, Basha po mjaftohet me aktivizimin në ndihmë të zonave të goditura dhe kontaktet me tekniciecët e inxhinierët që ofrojnë ekspertizë rreth situatës, por pa pranuar ftesën e kryeministrit.

Një cic-mic ftesash e kundër-mesazhesh po shkëmbehet këto orë mes dy krerëve politikë, që të kujton dy krizat politike, atë të Çadrës së vitit 2017 dhe këtë të vitit që po mbyllet, kur u dogjën mandatet parlamentare dhe u braktisën bashkitë. Është i njëjti hezitim, i njëjti paragjykim, e njëjta mungesë e theksuar besimi.

Askush s’e paragjykon sot Lulzim Bashën që të mos i besojë Edi Ramës. Shkaqet për një qëndrim të tillë janë të vjetra, të thella dhe vetë opozita mendon se janë edhe të përligjura. Por jo të gjitha Çadrat ngjajnë mes tyre. Dhe me çadër nënkuptohet jo domosdoshmërisht ngrehina 100 ditëshe e opozitës në bulevard dy vjet më parë, por në përgjithësi loja politike meskine të të dyja palëve, kalkulimet e tyre të vogla në funksion të pushtetit.

Ndërkohë , përballë kësaj çadre aspak të lavdishme në kushtet ku ndodhemi të gjithë, ngrihen çadrat e 4500 shqiptarëve që mëngjesi i 26 nëntorit i la pa shtëpi dhe pa të gjithë investimin e jetës. Këto dy lloja çadrash nuk ngjajnë aspak mes tyre dhe pikërisht pse është kështu, sot tingëllon e tejkaluar dhe banale që të kalkulosh me logjikën e vitit 2017, se po i dhe dorën kundërshtarit, ai do ta përdorë foton e rastit me ty për kapital politik.

Tërmeti nuk i ka rënë qeverisë, i ka rënë Shqipërisë. Dhe Shqipërinë e përfaqëson jo vetëm qeveria. Ndodhemi përballë një emergjence të tillë, kur është imperative që secili të marrë përgjegjësitë që i takojnë. Qeveria, përgjegjësinë për nxjerrjen e vendit nga drama e tërmetit, opozita, përgjegjësinë për të përfaqësuar atë pjesë të popullit që e ka votuar dhe për të dhënë mbështetjen e saj aktive në kushtet ku ndodhet vendi.

Basha ka bërë publike tre propozime konkrete në lidhje me daljen nga kriza humanitare dhe rindërtimi. Është rasti që t’ja thotë Ramës në sy atë që mendon, jo duke bërë “ekskursione” sa për shou me kryeministrin nëpër rrënoja me kamerat pas, por në zyrat e selitë e këtij shteti, hapur dhe publikisht, duke e parë në sy. Le t’ja heqë alibinë kryeministrit, që ndoshta po tenton tinëzisht ta mbajë larg Bashën, pikërisht duke e provokuar publikisht e duke e ngacmuar me ftesa për t’u takuar!

Është koha që palët të ulen, ndryshe loja e propozimeve e ftesave pa përgjigje do të zbulojë në sytë tanë si popull, se këta nuk ditkan të ulen e të zbuten edhe përballë tërmeteve. Kursejani këtë akt papërgjegjshmërie këtij populli.

Minxhozi: Reforma u mor zvarrë, tani është kantier ndërtimi

Analisti Skënder Minxhozi u shpreh në “Real Story”, se reforma në drejtësi u “mor zvarrë” nga  politika në dy vitet e fundit. Duke iu referuar krizës politike aktuale, por dhe atë të vitit 2017, Skënder Minxhozi u shpreh se kjo krizë politike ka influencuar mbi reformën zgjedhore.

“Në këtë sherr politik po diskutohet në thelb Reforma në Drejtësi. Më 2016 e kemi votuar në unanimitet këtë reformë, nuk ka një deputet që të thotë se ishte kundër. Problemi është se kur u hap seanca dhe Meta ishte kryetar Kuvendi, të 140 deputetët bashkë me të votuan pro reformës. Ne këtë reformë e kemi marrë zvarrë nëpër dy dimra shumë të mëdhenj politikë, që nuk mund të mos e influenconin”, tha Minxhozi.

Më tej, Skënder Minxhozi u shpreh se reforma është ende një “kantier ndërtimi”, ndaj sipas tij, duhet të pritet përfundimi i saj, për të parë rezultatet konkrete.

“Reforma kaloi dhe mori formë në mesin e një antagonizmi të skajshëm. Reforma është kantier akoma, nuk i ka mbyllur qepenat, por notat ose funeralin mund t’ja këndojmë, kur të ketë mbaruar. Tani jemi në fazën përmbyllëse për kryeprokurorin. Për mua Arta Marku është e skualifikuar, s’ka asnjë meritë, duhet të mbetet e përkohshme”, tha Minxhozi. /Realstory.al/

Minxhozi: Gjykata foli, asgjë nuk vlen më…

Nga Skënder Minxhozi

Ka pasur një heshtje të kujdesshme këto kohë nga ana e ndërkombëtarëve, sa herë që pyeteshin për sherrin mes Metës dhe Ramës, në lidhje me zgjedhjet lokale. Përkundër kritikave të shpeshta që kanë prodhuar në momente të tensionuara politike, këtë herë ata e lanë debatin mbi 30 qershorin në “duart e shqiptarëve”. Është një çeshtje e brendshme, zgjidheni ju! Kjo është fraza që u dëgjua në kor nga ambasadorët dhe organizmat ndërkombëtare që folën pasi Ilir Meta “çdekretoi” zgjedhjet.
Tani kjo situatë e habitshme dhe e pakuptueshme ka marrë fund. Kolegji Zgjedhor vendosi t’i japë fund sagës juridike, duke marrë një vendim që pritet t’i japë formë krejt të ndryshme debatit të gjatë për 30 qershorit. Shumica do të ketë një vendim gjyqësor mbi datën që dëshëron për zgjedhjet, presidenti dhe opozita do të kenë një pengesë më shumë në rrugën drejt pengimit të zgjedhjeve, kurse të huajt do të disponojnë një akt juridik mbi të cilin të bëjnë arbitrin e palëve në orët në vijim.

Hyrja në lojë e Kolegjit Zgjedhor nuk do ta fashisë polemikën politike, por i ka dhënë një drejtim definitiv opinionit zyrtar juridik mbi datën e zgjedhjeve lokale.
Ka qenë një vendimmarrje delikate dhe e shumëpritur, pasi edhe në një ambjent thellësisht mosbesues dhe paragjyklues si ky i yni, kur flet gjykata të tjerët duhet të heshtin dhe të zbatojnë vendimin e saj. Opozita e ndjeu se Kolegji ishte vënë në lëvizje nga një parti aleate e PS, me qëllimin që ta detyronte këtë gjykatë të shprehej formalisht mbi datën e zgjedhjeve.

Ajo e di se pas vendimit të Kolegjit, nuk ka më asnjë pengesë formale në rrugën drejt zgjedhjeve të të dielës së ardhshme. Këtë e di edhe Kreu i shtetit, i cili u investua në këtë fazë të luftës politike, me të gjithë arsenalin e institucionit që drejton, duke e ekspozuar veten si një kontigjent të vërtetë sulmi të opozitës, kundër qeverisë dhe kundër zgjedhjeve.
Pas vendimit të Kolegjit, zgjedhjet e 30 qershorit nuk janë më një problem juridik formal. Nyja e interpretimit ligjor të datës së zgjedhjeve tashmë zgjidhur. E diela e ardhshme është ajo që të gjithë prisnim: një problem logjistik, një problem rendi e sigurie, jo një çeshtje gare elektorale apo konkurimi alternativash.

Po shkojmë drejt një dite të nxehtë votimesh, por më mirë një ditë e tillë, sesa një dështim i turpshëm në përmbushjen e detyrës bazë të një demokracie: mbajtjen e zgjedhjeve të lira. Do të votohet pa praninë e një porcioni të madh të spektrit politik e ky është një detaj me peshë mbi imazhin dhe rezultatin e këtyre zgjedhjeve. Por më mirë një palë zgjedhje të këqia se hiç zgjedhje! Kolegji mori të vetmin vendim të mundshëm dhe që evitoi një figurë të shëmtuar brenda dhe jashtë vendit.

Skip to toolbar