Meta nuk fal te Tedi, letër prokurorisë: Verifikoni!

AKTUALITET


Presidenti Meta i është drejtuar me një letër prokurorisë së përgjithshme të cilës i kërkon që të verifikojë telefonatën kërcënuese që ka marrë zëdhënësi i tij Tedi Blushi. Prokuroria njofton se në shkresë Presidenca kërkon verifikimin e telefonatës që i është bërë zëdhënësit nga një telefonues që është prezantuar si diplomat. “Telefonuesi u prezantua si diplomat. Kërkojmë të identifikohet numri nga u bë telefonata për zëdhënësin”, thuhet ndër të tjera në kërkesën e Presidencës.

Të enjten presidenti Meta tha se një ambasadë e huaj ka kërcënuar zëdhënësin e tij. Sipas Metës shantazhi ndaj zëdhënësit ka ardhur për shkak të një postimi, që ai ka bërë për shkak të detyrës.

“Zëdhënësi im, z. Tedi Blushi është shantazhuar në emër të një Ambasade të huaj në Tiranë, që të tërheqë një postim të bërë sot paradite për shkak të detyrës brenda 30 minutash. Kam kërkuar hetim të menjëhershëm. Shpresoj të jetë lojë e Rilindjes por mjerë ata diplomatë që mund të kenë kërcënuar Zëdhënësin e Presidentit të Republikës”, ka deklaruar Meta, duke kërcënuar diplomatët.

Por, nga ajo që vihet re në publikimet e zëdhënësit të Metës, gjatë ditës së enjte, ai ka pasur dy postime që lidhen me ambasadat e huaja në vendin tonë. Në fjalët e njërit prej tyre, ai nënkupton ambasadën e SHBA, kur thotë “Rruga e Elbasanit të çon në Xibrakë, ndërkohë që në tjetrin, i drejtohet direkt ambasadës së SHBA, duke përmendur me emra edhe nëpunësit zyrtarë të saj, ndërsa u është përgjigjur interesit të gazetarëve për të konfirmuar bisedën telefonike mes kreut të shtetit dhe Zv.Ndihmës Sekretarit të Shtetit të SHBA, z. Matthew Palmer. Pra, sulmi i Metës duket se ka qenë i drejtpërdrejtë ndaj ambasadës së SHBA dhe diplomatëve të saj, duke intensifikuar kështu deklaratat e tij kundër ambasadorëve, ose siç vetë thirri me zë të lartë gjatë një prononcimi për mediat “No more rule of embassy”.



Skip to toolbar