Meta tradhton Besnikun: Ik nga Kushtetuesja, pres shpalljen e vakancës

POLITIKË


Ndërkohë që Besnik Muçi ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të bëjë një rivlerësim të çështjes së tij dhe të dilte me një vendim për përfundimin e mandatit të tij, duket se Meta ka vendosur “të hedh në rrugë” të zgjedhurin e tij të parë për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Gjatë takimit të mbajtur në Presidencë, Meta ka kërkuar nga Muçi, të rivlerësojë kërkesën që i është drejtuar Kushtetueses duke i lënë të kuptohet se tashmë është shkarkuar nga vettingu dhe nuk njihet më. Madje Presidenti Meta ka theksuar rëndësinë për të rishpallur menjëherë këtë vakancë për aplikim. Shkarkimi i Muçit nga KPA ditën e enjte, solli një reagim të ashpër e sulmues të Presidenti Meta, i cili tha se këtë gjë e priste pasi vettingu dhe e gjithë drejtësia po tenton të kapet nga Rama dhe disa ambasadorë që shkojnë pas tij duke i cilësuar si “palaço”, ndërsa sot kërkon që Muçi të lirojë zyrën e tij dhe të nisin aplikimet për vakancën e lënë nga ai.

Presidenti Meta falenderoi Besnik Muçi që pranoi të ushtronte detyrën e Gjyqtarit të Gjykatësit Kushtetues, si kandidatura e parë e përzgjedhur nga Presidenti i Republikës. Meta i kërkoi zotit Muçi që të vlerësonte mundësinë që të rishikonte qëndrimin e tij më të fundit për të kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të shprehej me vendim për të deklaruar përfundimin e mandatit të tij si gjyqtar kushtetues. Presidenti Meta ndërkohë është në pritje të njoftimit nga Gjykata Kushtetuese për të rishpallur menjëherë këtë vakancë për aplikim” thuhet në njoftimin e Presidencës.


Ndërsa për Besnik Muçi, i cili nuk njeh shkarkimin e tij dhe tha se ishte betuar para Metës, deklaroi se do t’i shkojë deri në fund kësaj çështje në rrugë ligjore. Ai tha se rivlerësimi nga KPA ishte diskriminues ndaj tij, por që do të respektonte çdo veprim që do të ndërmerrte Kushtetuesja dhe Presidenti.

Muçi i deklaroi Presidentit Meta se, procesi i rivlerësimit kalimtar i kryer në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit ka qenë tepër diskriminues edhe për faktin e qëndrimeve të tij si gjyqtar kushtetues. Muçi i shprehu Presidentit Meta se nuk është politikan, por një jurist dhe duhet të veprojë si i tillë deri në fund për të kërkuar të drejtat e tij pranë çdo gjykate ndërkombëtare, vendimi i së cilës ka juridiksion ndaj Republikës së Shqipërisë. Megjithatë Muçi e garantoi Presidentin Meta se do të mirëkuptojë çdo veprim të mëtejshëm të Gjykatës Kushtetuese dhe Presidentit të Republikës, për të vijuar procesin midis tyre në lidhje me plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese” është shprehur Besnik Muçi para Presidentit Meta.

Gjithashtu Meta ka vendosur që shorti për zgjedhjen e KED do të bëhet nga Presidenti më 5 dhjetor për krijimin e një KED të re. Emërimet për Gjykatën Kushtetuese sollën një përplasje të fortë mes Presidencës dhe kryetarit të KED, që përfundoi me një padi penale ndaj Ardian Dvoranit nga institucioni i Presidentit. Meta akuzoi Dvoranin për shpërdorim detyre dhe se ka tentuar t’i marrë kompetencat atij.




Skip to toolbar