Presidenti Ilir Meta njofton se në datën 5 dhjetor do të hedhë shortin për zgjedhjen e KED-së dhe thekson se do ta ndjekë me shumë rigorozitet veprimtarinë e këtij institucioni në mënyrë që të mos lejohet devijimi nga dispozitat kushtetuese.
“Presidenti Meta bën publik edhe faktin se ka vendosur që shorti për zgjedhjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, do të realizohet nga Institucioni i Presidentit të Republikës në datë 5 dhjetor 2019 dhe pas fillimit të funksionimit të KED-së së re, do ta ndjekë me shumë rigorozitet gjithë veprimtarinë e saj, për të mos lejuar më asnjë devijim nga parimet dhe dispozitat kushtetuese dhe të ligjit për të mbrojtur integritetin e mëtejshëm të gjithë procesit për ngritjen dhe funksionimit e plotë të Gjykatës Kushtetuese.” -thuhet në njoftimin zyrtar të Presidencës.
Një deklaratë e tillë e Metës vjen pikërisht kur ai ka depozituar një padi penale ndaj kreut të KED-së dhe kjo padi është marrë në shqyrtim nga prokuroria e Tiranës e cila ende nuk ka vendosur nëse do ta pranojë padinë apo do ta rrëzojë. Në rast se prokuroria pranon padinë e Metës ndaj Dvoranit, zgjedhja e KED-së futet në ngërç, pasi Dvorani është i vetmi anëtar që përfaqëson Gjykatën e Lartë në KED, në përputhje me dispozitat ligjore, dhe sipas ligjit “nëse një person që është në ndjekje penale nga organi i akuzës nuk mund të kandidojë për të qenë pjesë e KED-së”.
Pika 3 e nenit 149/d të Kushtetutës së ndryshuar në vitin 2016, parashikon që Presidenti i përzgjedh me short anëtarët e Këshilli të Emërimeve në Drejtësi, midis datave 1 dhe 5 dhjetor të çdo viti kalendarik, dy gjyqtarë nga Gjykata Kushtetuese, një gjyqtar nga Gjykata e Lartë (që edhe e drejton këtë institucion), një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, dy gjyqtarë, dy prokurorë nga gjykatat e apelit, si dhe një gjyqtar nga gjykatat administrative. Por nëse Presidenti i Republikës nuk arrin të zgjedhë anëtarët deri në datën 5 dhjetor, Kryetari i Kuvendit i zgjedh ata me short brenda datës 10 dhjetor, por kreu i shtetit ka konfirmuar se do ta hedhë vetë shortin.
Por KED-ja mund të futet në ngërc dhe të mos krijohet nëse nis hetimi kundër Ardian Dvoranit pas kallëzimit të Metës kundër tij. E gjithë kjo situatë do të thotë se nëse nis hetimi kundër Dvoranit pas kallëzimit të Ilir Metës ai mbetet jashtë KED-së dhe në kushtet kur nga Gjykata e Lartë nuk ka asnjë emër tjetër (pasi Medi Bici është anëtar i KLGj-së) ky institucion futet në ngërç.