Haradinaj, mesazh Kurtit: Mos e hiq taksën

KOSOVA


Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj në një intervistë për KosovaPress, thotë se nëse Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, heqin taksën ndaj Serbisë do të ishte e pafalshme dhe se me ata do të talleshin bashkësia ndërkombëtare e Serbia, ndërsa shton se heqja e taksës është ekuivalent me Gjykatën Speciale. Haradinaj deklaron se plot qëndrime janë mashtrim të Kurtit dhe të Vetëvendosjes. Ndërsa, në rast se dështon krijimi i institucioneve të vendit, si Aleancë do të shkojnë të vetëm në zgjedhje.

Ish-kreu i Qeverisë për KosovaPress ka folur edhe për rezultatin që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë në zgjedhjet e 6 tetorit, si do të jenë si opozitë dhe si do të veprojnë nëse vendi shkon prapë në zgjedhje.

Haradinaj thotë se largimi i taksës është gabim kur Serbia po vazhdon t’i përkeqësojë raportet ndaj Kosovës. Sipas tij, largimi i taksës 100 përqind ndaj produkteve të Serbisë do të ishte në dëm të prodhuesve vendorë, që gjatë kësaj kohe kanë shënuar rritje në prodhim e punësim.

Sa i përket asaj që kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe pretendenti për kryeministër të vendit, Albin Kurti, kishte deklaruar se ndaj Serbisë do të vendosej masa e reciprocitetit, Haradinaj thotë se taksa dhe reciprociteti mund të funksionojnë së bashku.

Lëvizja Vetëvendosje si partia më e votuar në zgjedhjet e 6 tetorit dhe Lidhja Demokratike e Kosovës si partia e dytë, aktualisht janë duke zhvilluar takime për krijimin e qeverisë së re të Kosovës. Për këto takime, kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, thotë se janë normale, por thotë se shihet se ka disa vështirësi në arritjen e marrëveshjes mes këtyre dy partive.



Skip to toolbar