“Target i KÇK, personat e dënuar”, Lala përplaset me Lleshajn: Është antikushtetues

Real Story


Drafti i publikuar anti-KÇK ka sjell debate të forta mes ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj dhe gazetares Klodiana Lala në studion e emisionit “Real Story”. Gazetarja Lala, duke iu referuar një drafti për KÇK e cilëson këtë projektligj antikushtetues pasi shkel të drejtat e njeriut dhe ka mbivendosje kompetencash. Ky draft u hodh poshtë nga ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, i cili tha se ky draft nuk ekziston pasi nuk është miratuar ende dhe se për momentin mund të diskutohet vetëm për prezantimin që kryeministri Rama i bëri këtij projektligji anti-KÇK. Lleshja tha se ky ligj ka në target të tij vetëm personat e dënuar apo të hetuar dhe jo qytetarët e thjeshtë.

Klodiana Lala: Ky është një projekt-ligj antikushtetuese dhe mbi të gjitha abuziv. Po ta shikosh nen për nen.

Sandër Lleshaj: I vetmi draft që mund të diskutojmë sot mund të diskutojmë atë që ka thënë kryeministri.

Klodiana Lala: Neni 6 i projekt-ligjit thotë se policia merr kompetenca të plota.

Sandër Lleshaj: A mund ta lini atë draft. Do miratohet, por nuk është miratuar. Sa shpejt e paskeni kuptuar. Nuk e keni kapacitetin për t’u marrë. Kushtetuesen e përcaktojnë organet shtetërore, e jo ju.

Klodiana Lala: Unë kam ardhur të diskutoj për këtë projekt-ligj. Nëse qëndron ky projekt-ligj, ka probleme shumë të theksuara që kanë të bëjnë me liritë e individit. Policia merr tagër përtej gjykatës e prokurorisë.

Sandër Lleshaj: O Zonjë, nuk kemi ardhur këtu për të tilla deklarata. Këtë diskutim me mua nuk mund ta bësh me mua. Nuk mund ta bësh me mua këtë debat. Ai dokument për mua nuk ekziston. Unë diskutoj ato që janë bërë publike nga qeveria.

Klodiana Lala: Përmes këtij ligji ju vini në derën e qytetarëve dhe trokisni për ta hetuar pas asnjë urdhër. Policia merr kompetenca që nuk i takojnë.

Sandër Lleshaj: Ky ligj ka në target të tij vetëm personat e dënuar apo të hetuar. Nuk shkon në derën e çdo qytetari të thjeshtë. Çdo veprim administrativ, fjalën e fundit e ka gjykata.

Klodiana Lala: Janë aq shumë pikëpyetje në këtë ligj

Sandër Lleshaj: Meraku i Lalës mesa kuptova është …

Klodiana Lala: I shqiptarëve z.ministër

Sandër Lleshaj: U bëmë të gjithë zëdhënës të popullit … Për çdo masë administrative që i është dhënë apo do i jepet Policisë së Shtetit do të ketë një procedurë vleftësimi të saj nga gjykata. Pra, asnjë masë e prokurorisë nuk është definitive. Fjalën e fundit do ta ketë sistemi gjyqësor.

Klodiana Lala: Krimi i organizuar nuk luftohet me masa administrative, por duke siguruar prova e duke i çuar pas hekurave, më pas nis sekuestrimi, konfiskimi i pasurive. Problemi është se këtu nuk funksionojnë hallkat. Mua më vijnë 20 policë e më trokasin në shtëpi, më thonë ‘do bëjmë kontroll’.

Sandër Lleshaj: Për sa kohë nuk keni bërë një krim të rëndë, kurrë nuk mund të vijë policia në emër të këtij ligji te dera jote. Subjekt të këtij ligji janë persona të dënuar ose të akuzuar zyrtarisht. Jo të gjithë kriminelët e mundshëm të vendit janë subjekt i ligjit. Kryesisht janë krimet, trafiqet, droga dhe terrorizmi. Ligji fotografon situatën sot dhe nga sot e në të shkuarën janë subjekt i hetimit. Ndaj këtyre personave ka dorë më të lirë policia për t’u marrë me ta. Masë kryesore është sekuestrimi i pasurisë, ne duam ta shkatërrojmë këtë biznes, sepse krimi i organizuar është biznes. Duhet të shkatërrojmë biznesin kriminal, që punon për të siguruar të ardhura. ndonëse i gjithë krimi është i fshehtë, ka një gjë që është e dukshme: pasuria, në makina, vila …Këtë model biznesi ne duam ta shkatërrojmë, duke i dhënë mundësi policisë ta sekuestrojë në çast.

Klodiana Lala: A nuk është kjo shkelje e të drejtave të njeriut?

Sandër Lleshaj: Nuk është.

Klodiana Lala: Me këtë politikë ju po cenoni të drejtat e qytetarëve.

Sandër Lleshaj: Policia do marrë të drejtën të sekuestrojë makinën e dikujt që është dënuar më parë. Do i thotë ‘ik në gjykatë dhe provoje që e ke blerë’. Nëse policia ka gabuar, do detyrohet ta dëmshpërblejë. Për çdo veprim përfundimtar është gjykata ajo që vendos.



Skip to toolbar