Anëtarësimi i Shqipërisë në BE/ KE mbështet objektivin për përfundimin e negociatave brenda 2027

#NËRADAR


Komisioni Evropian pritet të mbështesë zyrtarisht objektivin e Shqipërisë për përfundimin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian deri në fund të vitit 2027. Sipas zyrtarëve të BE-së të cituar nga Euronews, ky afat pritet të përfshihet në një udhërrëfyes të ri, së bashku me një listë reformash dhe objektivash që Tirana duhet të përmbushë për të mbyllur procesin.

Shqipëria ka vendosur fundin e vitit 2027 si afat për përfundimin e negociatave, një objektiv që kryeministri Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë të lartë shqiptarë e kanë përmendur vazhdimisht si një plan të dakordësuar me Komisionin Europian.

Megjithatë, deri tani Komisioni ka qenë i kujdesshëm në lidhje me përcaktimin e afateve konkrete, pasi procesi i zgjerimit të BE-së bazohet në merita dhe në përmbushjen e kushteve nga vendet kandidate.

“Siç e dini, zgjerimi nuk funksionon me data. Por sa më shumë që vendi po i afrohet fundit të pjesës teknike të procesit të anëtarësimit, aq më shumë mund të flasim për të ose aq më shumë mund t’i përdorim vitet”, deklaroi komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, në korrik.

Kjo qasje pritet të ndryshojë me udhërrëfyesit e rinj që Komisioni Europian po përgatit për vendet kandidate që kanë bërë më shumë progres. Në fjalimin e saj për gjendjen e Bashkimit Europian në Parlamentin Europian javën e kaluar, presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, njoftoi përgatitjen e këtyre dokumenteve.

“Së shpejti do të propozojmë udhërrëfyes për kandidatët që kanë bërë më shumë progres”, tha von der Leyen, duke përmendur Ukrainën, Moldavinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor si shtete, e ardhmja e të cilave është në Bashkimin Evropian.

Udhërrëfyesit pritet të përmbajnë një afat orientues, duke u dhënë vendeve kandidate një drejtim më të qartë për përmbushjen e detyrimeve të mbetura.

Dokumentet do të përfshihen në paketën vjetore të zgjerimit të Komisionit Europian, e cila pritet të publikohet në fund të tetorit dhe që përmban vlerësime specifike për secilin vend kandidat dhe rekomandime për hapat e mëtejshëm.

Reformat që duhet të përmbushë Shqipëria

Në rastin e Shqipërisë, Komisioni po përgatit gjithashtu një raport vlerësimi për përmbushjen e kritereve përmbyllëse. Në fokus do të jenë veçanërisht reformat në drejtësi dhe forcimi i shtetit të së drejtës, të cilat konsiderohen pjesë e “themeleve” të procesit të anëtarësimit.

Plani sipas Euronews parashikon që për Shqipërinë të hartohet një listë konkrete me objektivat dhe rezultatet që duhet të arrihen për të mbyllur boshllëqet e mbetura në procesin e negociatave.

Një qasje e tillë është përdorur edhe me Malin e Zi, ku Komisioni përcaktoi në mënyrë konkrete reformat dhe rezultatet që duhej të realizoheshin për përmbushjen e kritereve të anëtarësimit.

“Në thelb, Komisioni pa se kjo qasje funksionoi mirë me Malin e Zi dhe dëshiron ta përsërisë atë”, tha për Euronews një zyrtar i BE-së, i cili kërkoi të mbetet anonim për shkak të ndjeshmërisë së diskutimeve.

Lista e objektivave synon t’u japë vendeve kandidate një pasqyrë të qartë se cilat janë prioritetet dhe cilat hapa duhet të përfundojnë për të avancuar drejt fazës përfundimtare të anëtarësimit.



Skip to toolbar