Kryeministri Edi Rama ka mbledhur qeverinë këtë të mërkurë, një ditë pas tërmetit të një dite më parë, ku shkaktoi shumë viktima e qindra të plagosur. Duke bërë një përmbledhje të situatës, kreu i qeverisë ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për Tiranën dhe Durrësin.
“Është thënë se ne po shmangim gjendjen e jashtëzakonshme për të mos marrë përsipër përgjegjësitë tona, pa e ditur fare se çfarë është në të vërtetë gjendja e jashtëzakonshme. Dje nuk ka qenë momenti për këtë. Dje ka qenë momenti për të adresuar hemorragjinë e tmerrshme që ka shpërthyer. Ne dje kemi folur me njëri-tjetrin vetëm në rrugë digjitale. Ministrja e Infrastrukturës është gdhirë në atë rrugicën e rrënojave që mbajnë ende brenda njerëz. Ne sot do të shpallim gjendjen e jashtëzakonshme. Ashtu si Kushtetuta dhe legjislacioni e thonë do jetë në perimetrin e vendeve që janë të prekura. Tiranës dhe Durrësit. Ne marrim vendim për gjendjen e jashtëzakonshme, por nuk harrojmë se kjo është një ditë kur plagët janë aty”, tha Rama.
Nga ana tjetër, ai ka falënderuar të gjithë strukturat shtetërore dhe vullnetare për angazhimin e tyre për pasojat e tërmetit. “Në fund të një 24 orëshi që ka qenë një ndër momentet më të errëta të jetës sonë mund të thuhet me plot gojën se nga të gjithë njerëzit nën uniformë të shtetit shqiptar është bërë një punë heroike. Dua të shpreh mirënjohjen respektin dhe falënderimin e të gjithë trupave të angazhuara në vijnë e parë të frontit duke u përballur me një fatkeqësi të jashtëzakonshme. Kanë rrezikuar jetën e tyre duke shpëtuar jetë të mbetura pezull”, deklaroi kryeministri.
Kryeministri Edi Rama ka falënderuar partnerët ndërkombëtarë, të cilët kanë shprehur gatishmërinë për të ardhur në ndihmë të personave që janë prekur nga tërmeti i fuqishëm që goditi Shqipërinë. “Duhet të shpreh mirënjohje të pakufishme për reagimet vërtetë thellësisht ngushëlluese të ambasadave të BE dhe SHBA që në çastet e para janë vënë në lëvizje për të na shprehur gatishmërinë e tyre. Për Presidentin e Kosovës, Kryeministrin e Italisë, i cili ndër miqtë dhe partnerët e këtij vendi ka qenë ai që ka çelur serinë e komunikimeve të drejtpërdrejta duke u predispozuar për t’i ardhur në ndihmë njerëzve. Kryeministri i Greqisë, i cili përveç të tjerave ka sjellë menjëherë duke devijuar programin, ministrin e Jashtëm me një delegacion të gjerë në Tiranë, presidentin e Francës i cili pasi kemi komunikuar disa herë edhe pse është përballur me një fatkeqësi të madhe për Francën, ka vënë në lëvizje ministrin e Brendshme të Francës, presidentin e Turqisë që ka komunikuar në fillim gjatë dhe pastaj edhe në mesnatën e ditës së djeshme duke konfirmuar vijimësisht gatishmërinë për të bërë gjithçka që është e nevojshme në ndihmë të të dëmtuarve nga tërmeti, kabinetin e kancelares, presidentin e Serbisë që ka dërguar një mision special, kryeministrin e Kroacisë dhe dua të shtoj një shprehje të posaçme nga CDU të cilët jo vetëm kanë dërguar një seri impresionuese mesazhesh nga anëtarë të grupit të Bundestagut, por kanë shprehur gatishmërinë për të bërë çdo gjë. Falënderoj edhe qeveritë e Rumanisë dhe Zvicrës dhe princin e Kurorës së Arabisë Saudite. Një numër i konsiderueshëm i medias italiane kanë dërguar shumë mesazhe duke shprehur gatishmërinë për t’u përfshirë në dhënien e ndihmës dhe solidaritetit. Trupat janë përfshirë në terren dhe kanë marrë lidershipin e operacioneve, duke zotëruar një ekspertizë shumë më domethënëse se e jona që janë fillestare në këtë fushë sepse nuk jemi hasur me tërmetet për shumë dekada. Trupat speciale të Kosovës kanë mbërritur të parat dhe kanë shfaqur një kapacitet domethënës në mbështetje të trupave tona”, u shpreh Rama.