Dëmet në Lezhë, 66 pallate dhe 235 banesa me rrezikshmëri të lartë!

AKTUALITET


Lezha ka pësuar dëme të konsiderueshme në ndërtesa, edhe pse ishte e fundit që nga qeveria u fut në listën e vendeve ku u shpall gjendja e fatkeqësisë natyrore, pasi numëron rreth 66 pallate dhe 235 banesa, të cilat janë konsideruar me rrezikshmëri të lartë për banim, ndërkohë që 1280 qytetarë janë strehuar në çadra dhe hotele, pasi nuk mund të kthehen në banesat e tyre.

Përfaqësues i Komitetit ndërministror, Qendra Operacionale Lezhë, Etjen Xhafaj ka dhënë shifra zyrtare mbi situatën e post tërmetit, kur kanë kaluar rreth 10 ditë nga ajo lëkundje me pasoja tragjike.


Referuar këtyre të dhënave, bëhet me dije janë dyfishuar grupet e verifikimit me inxhinierë nga Shkodra, Kukësi dhe Dibra në mënyrë që të bëhet verifikimi i banesave në kohë sa më të shkurtër. “Nga inspektimet në qarkun e Lezhës të ekspertëve shqiptar së bashku me ato izraelit, është dalë në përfundimin se 66 pallate paraqesin rrezikshmëri të lartë, ndërsa sa i përket strehimit, 1280 qytetarët vazhdojnë të jenë akomoduar në 3 hotele në Shëngjin”, deklaroi Xhafaj. Në ditën e dhjetë pas fatkeqësisë natyrore që preku qarqet Durrës, Tiranë dhe Lezhës, ai tha se është kapërcyer faza e parë të emergjencës, duke u dhënë ndihmë personave të rrezikuar, të cilët janë akomoduar në hotele e çadra në zonat rurale.

“Aktualisht janë dyfishuar grupet e verifikimit me inxhiniere nga Shkodra, Kukësi dhe Dibra, duke operuar me 18 grupe vlerësimi në terren. Nga sot ka nisur vlerësimi i objekteve edhe në Bashkinë e Mirditës. Disa objekte të rëndësishme si shkollat e çerdhe janë ekspertuar nga Inxhiniere të Institutit në Tiranë, duke marrë vendimet e domosdoshme për sigurinë dhe mësimdhënien. Për shkollën e dëmtuar “Gjergj Kastrioti”, është marrë vendim që deri në një moment të dytë mësimi të zhvillohet në shkollën “Besëlidhja”, me 2 turne. Drejtoria arsimore e Lezhës ka marrë masa për identifikimin e nxënësve që janë evakuuar dhe janë siguruar mjetet për transportimin e tyre në shkolla”, deklaroi Xhafaj.

Sipas tij, nga grupet në terren rezulton se 66 pallate dhe 235 banesa paraqesin rrezikshmëri të lartë.

“181 banesa të tjera kanë dëmtime të nivelit të mesëm. 783 qytetarë janë aktualisht strehuar nëpër çadra, dhe po vijon pajisja me to edhe e familjeve që kanë sjellë kërkesa pranë Qendrës Operacionale të Emergjencës Civile apo pranë Bashkive të Qarkut dhe Prefekturës”, tha Etjen Xhafaj.

Ndërkohë, ai vuri në dukje se 1280 qytetarë vazhdojnë të jenë akomoduar në 3 hotele në Shëngjin. “Është kryer identifikimi i plotë i të sëmurëve kronike (144) ndërkohe që vijon administrimi i vaksinave antigrip. Janë realizuar mbi 530 vizita individuale, dhe disa individë janë vizituar edhe për herë të dytë. Nesër do të ketë një tjetër ekip mjekësor i cili do të vijoje vizitat nëpër zonat rurale dhe qytetarët e vendosur nëpër çadra”, shtoi Xhafaj.




Skip to toolbar