Pas tërmetit me magnitudë 4.2, regjistrohen të tjera lëkundje gjatë natës në Cërrik e Belsh

Lëkundje tërmeti janë ndjerë përgjatë natës në qarkun e Elbasanit, ku kryesisht epiqendra ka qenë Belshi. Pas lëkundjeve të forta të djeshme që u regjistruan në Belsh në orën 21:21 me magnitugë 4.2 të shkallës riter, i cili fatmirësisht nuk pati asnjë dëm, janë shënuar dhe të tjera lëkundje.

Pas mesnate këto lëkundje kanë qenë shumë të vogla, duke nisur nga 1.6 ballë deri në 2.

Kujtojmë se Shqipëria gjatë vitit të kaluar u godit rëndë nga dy tërmete, ai i 21 shtatorit që shkaktoi dëme të mëdha materiale, si dhe ai i 26 nëntorit, që përveç dëmeve, shkaktoi edhe 51 viktima.

Lëkundje tërmeti në vend, Ministria e Mbrojtjes: Lëkundja me magnitudë 4.5, epiqendra në Cërrik

Lëkundje tërmeti janë ndjerë gjatë natës në vend, më i madhi ka qenë me magnitudën 4.5 të shkallës rihter. Sipas të dhënave të IGJEUM, lëkundjet e para kanë nisur pas mesnate, për të vijuar me të tjera tërmete me shkallë fuqie të ndryshme.

Mësohet se tërmeti më i fortë është regjistruar në Cërrik, me magnitudë 4.5 të shkallës rihter, në orën 01:26, ndërsa përgjatë gjithë natës janë ndjerë lëkundje të vogla në Belsh dhe Fier. Po ashtu mëngjesin e sotëm është ndjerë një tjetër lëkundje me magnituidë 3.3 të shkallës rihter në qarkun e Elbasanit.

Kujtojmë se Shqipëria gjatë vitit të kaluar u godit rëndë nga dy tërmete, ai i 21 shtatorit që shkaktoi dëme të mëdha materiale, si dhe ai i 26 nëntorit, që përveç dëmeve, shkaktoi edhe 51 viktima.

Letra prekëse e vogëlushes italiane për fëmijët shqiptarë

Mediat italiane kanë publikuar letrën e një vajze të vogël në lokalitetin Agordo në Belluno të Italisë. E tronditur nga lajmi i tërmetit,  Emily vogëlushja nga Italia ka shkruar një letër për fëmijët shqiptarë. Ajo i drejtohet punonjësve të Mbrojtjes Civile Italiane, ku u kërkon të dërgojnë në Shqipëri letrën e saj si dhe 5 eurot.

 “Unë nuk di shqip, por do të doja t’u them atyre fëmijëve që dëshiroj të jem shoqe për zemër me ta. Nuk di si ta bëj këtë, por do të doja që ju, Mbrojtja Civile, të më ndihmoni të dorëzoj vizatimin tim për fëmijët e Shqipërisë, që ata të shohin se mendova për ta dhe që më vjen shumë keq për atë që ndodhi. Shpresoj që ata të jenë përsëri të qetë dhe të lumtur me familjet e tyre. Përshëndetje fëmijë shqiptarë. Po ju dërgoj edhe 5 euro, që të mund të hani mëngjes nesër”, thuhet ndër të tjera në letër. Letra dhe mesazhi i saj “Jepuni një dorë fëmijëve të Shqipërisë, të goditur nga tërmeti” përfunduan në tryezën e presidentit të provincës.

Dëmet në Lezhë, 66 pallate dhe 235 banesa me rrezikshmëri të lartë!

Lezha ka pësuar dëme të konsiderueshme në ndërtesa, edhe pse ishte e fundit që nga qeveria u fut në listën e vendeve ku u shpall gjendja e fatkeqësisë natyrore, pasi numëron rreth 66 pallate dhe 235 banesa, të cilat janë konsideruar me rrezikshmëri të lartë për banim, ndërkohë që 1280 qytetarë janë strehuar në çadra dhe hotele, pasi nuk mund të kthehen në banesat e tyre.

Përfaqësues i Komitetit ndërministror, Qendra Operacionale Lezhë, Etjen Xhafaj ka dhënë shifra zyrtare mbi situatën e post tërmetit, kur kanë kaluar rreth 10 ditë nga ajo lëkundje me pasoja tragjike.

Referuar këtyre të dhënave, bëhet me dije janë dyfishuar grupet e verifikimit me inxhinierë nga Shkodra, Kukësi dhe Dibra në mënyrë që të bëhet verifikimi i banesave në kohë sa më të shkurtër. “Nga inspektimet në qarkun e Lezhës të ekspertëve shqiptar së bashku me ato izraelit, është dalë në përfundimin se 66 pallate paraqesin rrezikshmëri të lartë, ndërsa sa i përket strehimit, 1280 qytetarët vazhdojnë të jenë akomoduar në 3 hotele në Shëngjin”, deklaroi Xhafaj. Në ditën e dhjetë pas fatkeqësisë natyrore që preku qarqet Durrës, Tiranë dhe Lezhës, ai tha se është kapërcyer faza e parë të emergjencës, duke u dhënë ndihmë personave të rrezikuar, të cilët janë akomoduar në hotele e çadra në zonat rurale.

“Aktualisht janë dyfishuar grupet e verifikimit me inxhiniere nga Shkodra, Kukësi dhe Dibra, duke operuar me 18 grupe vlerësimi në terren. Nga sot ka nisur vlerësimi i objekteve edhe në Bashkinë e Mirditës. Disa objekte të rëndësishme si shkollat e çerdhe janë ekspertuar nga Inxhiniere të Institutit në Tiranë, duke marrë vendimet e domosdoshme për sigurinë dhe mësimdhënien. Për shkollën e dëmtuar “Gjergj Kastrioti”, është marrë vendim që deri në një moment të dytë mësimi të zhvillohet në shkollën “Besëlidhja”, me 2 turne. Drejtoria arsimore e Lezhës ka marrë masa për identifikimin e nxënësve që janë evakuuar dhe janë siguruar mjetet për transportimin e tyre në shkolla”, deklaroi Xhafaj.

Sipas tij, nga grupet në terren rezulton se 66 pallate dhe 235 banesa paraqesin rrezikshmëri të lartë.

“181 banesa të tjera kanë dëmtime të nivelit të mesëm. 783 qytetarë janë aktualisht strehuar nëpër çadra, dhe po vijon pajisja me to edhe e familjeve që kanë sjellë kërkesa pranë Qendrës Operacionale të Emergjencës Civile apo pranë Bashkive të Qarkut dhe Prefekturës”, tha Etjen Xhafaj.

Ndërkohë, ai vuri në dukje se 1280 qytetarë vazhdojnë të jenë akomoduar në 3 hotele në Shëngjin. “Është kryer identifikimi i plotë i të sëmurëve kronike (144) ndërkohe që vijon administrimi i vaksinave antigrip. Janë realizuar mbi 530 vizita individuale, dhe disa individë janë vizituar edhe për herë të dytë. Nesër do të ketë një tjetër ekip mjekësor i cili do të vijoje vizitat nëpër zonat rurale dhe qytetarët e vendosur nëpër çadra”, shtoi Xhafaj.

Çako: Pallatet e rrëzuara në Thumanë, ishin vlerësuar për riparim

Kreu i Emergjencave Civile i ka dhënë përgjigje një shqetësimi të ngritur prej disa ditësh për pallatet e shembura nga tërmeti në Thumanë që morën dhjetëra jetë njerëzish, duke deklaruar se në tërmetin e 21 shtatorit, ato ishin vlerësuar për t’u riparuar nga komisionet e vlerësimit.

Ky shqetësim është ngritur që pas tërmetit si nga ekspertët, por së fundmi edhe nga opozita, e cila ka kërkuar të dijë nëse ishte bërë një verifikim dhe çfarë ishte vendosur nga grupet e vlerësimit. Por, deri më sot, askush nuk kishte shprehur asgjë mbi aktet e vlerësimit, duke ia lënë përgjegjësinë vetëm prokurorisë. Madje, kjo ka qenë një ndër arsyet që të shtunën, kryeprokurori i ri, Olsian Çela inspektoi Prokurorinë e Krujës menjëherë pas vizitës në prokurorinë e Durrësit, nga ku deklaroi që shkelësit do të mbajnë përgjegjësi, qofshin zyrtarë apo ndërtues.

“Mund të them që 3 pallatet në Thumanë ishin vlerësuar për t’u riparuar, po asnjë nga komisionet e vlerësimit nuk kishte dalë në konkluzionin që këto pallate duheshin shembur”, ka deklaruar Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, i ftuar në emisionin “Kjo javë” në News 24. Madje, Çako vuri në dijeni se sapo kishte filluar rindërtimi i 233 banesave të dëmtuara nga tërmeti i 21 shtatorit, përjashto Bashkinë e Tiranës, që kishte marrë iniciativat e veta. “Gati ishte në përfundim i gjithë procesi i 21 shtatorit. Është një sistem i tërë që duhet të funksionojë, nuk është një strukturë e vetme e cila mund ta finalizojë një proces të tillë. Në këto kushte tërmeti i 21 shtatorit nuk mund t’i jepte mundësinë asnjë lloj inxhinieri apo eksperti të përcaktonte që fatkeqësitë e banesave të rrënuara me këtë fuqi tërmeti mund të ishin përcaktuar”, tha Çako. Më herët, Çako i ftuar në Real Story të Sokol Ballës kishte deklaruar se “nuk ka një akt për të shpallur pallatet e shembura të Thumanës të pabanueshme”, por që nuk kishte detaje të mëtejshme, ndërkohë që pas disa ditësh, ai duket se ka marrë në dorë aktin e konstatimit, që rezulton se pallatet ishin vlerësuar për riparim.

Nga ana tjetër, banorët e Thumanës kanë pretenduar se ato pallate ishin shpallur të pabanueshme që një vit më parë. Madje, ata ndihen të frikësuar të kthehen në banesat e tyre, nëse pallatet nuk rindërtohen. Por, kjo çështje, tashmë ka kaluar në dorën e prokurorisë, ku kryeprokurori ka dhënë porosi të qarta, jo vetëm për Prokurorinë e Krujës, por edhe të Durrësit, Lezhës e Tiranës, ku janë shënuar dëmet më të konsiderueshme nga tërmeti i 26 nëntorit.

Po ashtu, prokuroria do të verifikojë edhe aktin e konstatimit për pallatet e rrëzuara në Thumanë, nëse verifikimi dhe konkluzioni ka qenë i saktë. Që pas tërmetit, prokuroria ka kërkuar dokumentacionin përkatës nga të gjitha institucionet, ndërsa është ngritur kërkesa për inxhinierë, të cilët do të ndihmojnë hetimet në nxjerrjen e konkluzioneve përfundimtare.

Pas tërmetit të 26 nëntorit shumë ndërtime në Tiranë, Durrës dhe qarkun e Lezhës u dëmtuan shumë rëndë dhe për këtë ishte e nevojshme që të shembeshin. Janë të paktën 39 objekte që janë shembur deri më tani nga IKMT, ku në Durrës janë 27 objekte, në Thumanë 10 objekte (7 pallate dhe një shkollë) dhe në Bubq 2 objekte.

Tërmeti, Emiratet e Bashkuara sjellin 460 çadra dimërore

Emiratet e Bashkuara Arabe i janë bashkuar nismës së vendeve që kanë kontribuar me mjete logjistike apo ekipe në vendin tonë, pas tërmetit të 26 nëntorit.

Të premten mbërriti në Shqipëri një ngarkesë nga Emiratet e Bashkuara me ndihma logjistike prej 460 çadra familjare dimërore për të lehtësuar sado pak vështirësitë e hasura në vend, nga tërmeti që goditi vendin tonë më 26 nëntor.

Në Rinas, avioni u prit nga drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes civile Haki Çako, i cili falënderoi përfaqësuesit nga Emiratet e Bashkuara për gatishmërinë dhe ndihmën e ofruar.

Mjaft shtete të tjera kanë shprehur solidaritet të menjëhershëm me Shqipërinë në këto ditë. Kosova ishte ndër të parat që u angazhua në operacionet e kërkim shpëtimit, qeveria akordoi 100 mijë euro ndihmë financiare si dhe kamionë me ndihma në ushqime veshmbathje dhe batanije.

SHBA ka sjellë një numër ekspertësh. Bashkimi Evropian njoftoi një ndihmë prej 15 milionë eurosh. Turqia është angazhuar të ndërtojë rreth 500 shtëpi, veç ndihmave të tjera. Republika e Austrisë do të ndihmojë qeverinë shqiptare në përballimin e pasojave të tërmetit të datës 26 nëntor 2019, duke vënë në dispozicion 600,000 €, për rindërtimin e banesave të shkatërruara apo dëmtuara.

Ndërsa së fundmi Rumania krahas ekipit të ķërkim–shpëtimit solli edhe ndihma humanitare me dy kamionë nga Administrata Kombëtare e Rezervave të Shtetit dhe Probleme të Veçanta.

Raport për pallatet e Thumanës? Çuçi: Ta zbulojë prokuroria

Ministri fuqiplotë për situatën emergjente për fatkeqësitë natyrore, Bledi Çuçi ka deklaruar në Real Story të Sokol Ballës se çështja e një raporti që përflitet për pallatet e rrëzuara në Thumanë, i takon prokurorisë për t’u hetuar dhe ka shmangur një përgjigje të drejtpërdrejtë nëse kishte informacion mbi një raport të tillë, pavarësisht se më herët, kreu i emergjencave civile, Haki Çako është shprehur se nuk ekziston një raport i tillë.

Raporti që thuhet se i kishte shpallur pallatet të pabanueshme është rikthyer në vëmendje edhe nga opozita, e cila i ka drejtuar disa pyetje autoriteteve për të marrë informacion, por deri tani nuk ka një përgjigje ekzakte nëse ka pasur një raport apo jo dhe çfarë ka qenë e shkruar në atë raport, për të nxjerrë përgjegjësitë, për të cilat Rama ka kërkuar që të faktohet çdo abuzim qoftë na nëpunësit shtetërorë, qoftë nga ndërhyrjet individuale dhe subjekteve private.

Pikërisht për këtë çështje, gazetari Sokol Balla ka pyetur ministrin Çuçi në një lidhje direkte nga Durrësi, duke deklaruar se ka një tendencë në rritje të presionit për të gjetur fajtorët e disa prej ndërtimeve që u shembën në mënyrë të çuditshme, duke përmendur këtu dhe Partinë Demokratike. “Opozita e ka filluar me Thumanën, e cila ka ngritur disa pikëpyetje. Meqë e keni situatën nën kontroll, e keni nën kontroll edhe për këto raste si Thumana. A ka një raport vlerësimi? Dhe nëse ndonjë ka qenë i pabanueshëm, pse janë lejuar banorët të kthehen”, pyeti gazetari Balla.

Por ministri Çuçi, i cili është edhe kreu i komitetit të ngritur për këtë emergjencë, iu shmang një përgjigjeje të drejtpërdrejtë. “Kjo çështje i takon organeve kompetente për t’u hetuar. Unë personalisht kërkoj me forcë që të hetohet deri në fund çdo neglizhencë e institucioneve dhe do të ndëshkohet deri në fund çdo përgjegjës, por nuk është një çështje që më takon mua si drejtues i operacionit të emergjencës. Absolutisht jam në dispozicion të plotë të prokurorisë, ashtu siç kam qenë në çdo moment për hetimet e nisura. Kam qenë në dispozicion për të plotësuar dosjet procedurale penale”, deklaroi Bledi Çuçi.

Gazetari Sokol Balla këmbënguli sërish, duke pyetur: Ju po thoni që nuk e keni sot një informacion lidhur me pallatet e Thumanës në raport me tërmetin e 21 shtatorit?

“Ajo është çështje e prokurorisë, ajo do të hetojë nëse ka pasur dëmtime, nëse ka pasur një vendim dhe çfarë ka ndodhur. E gjitha është çështje e prokurorisë. Janë strikt detyra që i përkasin organeve të ndjekjes penale”, deklaroi Çuçi.

Tërmeti dhe Meta, deputetët: Nuk ia dalim dot ta shkarkojmë, duam dhe 4 muaj

Duket se tërmeti do t’i shtojë ditët presidentit Meta në krye të shtetit, pasi anëtarët e Komisionit Hetimor kanë kërkuar shtyrjen e afatit të punimeve të këtij komisioni me 4 muaj. Në mbledhjen e zhvilluar të martën, deputetët thanë se zhvillimet që pasuan tërmetin e 26 nëntorit, nuk i kanë dhënë kohën e mjaftueshme këtij komisioni për të mbledhur dhe shqyrtuar siç duhet provat, ndaj duhet të ketë një shtyrje të punimeve të tij me 4 muaj.  

Mbledhja e së martës është drejtuar nga nënkryetari i Komisionit, opozitari Alban Zeneli, i cili ka bërë këtë propozim në emër jo vetëm të opozitës por edhe të maxhorancës.

 “Ky komision dhe mazhoranca ka kërkuar një shtesë për afat kohor. Dhe për të investiguar një institucion kaq të rëndësishëm duhet më shumë kohë. Nuk e  ka patur kohën e duhur për t’u mbledhur dhe për të shqyrtuar faktet. Kjo ka ardhur edhe për shkak të gjendje në Shqipëri pas tërmetit të rënë. Është e pamundur që afati që është përcaktuar më 8 dhjetor të realizohet. Është koha e pamjaftueshme për të dalë në një kërkesë sa më të saktë dhe të drejtë ligjore.

Shtyrja me 4 muaj kërkohet për ta nxjerrë këtë punë të saktë. Mund të duhet edhe kohë tjetër madje por edhe mund ta mbyllim më para. Ky është rasti i parë i një hetimi të presidentit dhe ishallah nuk kemi më raste të tilla”, deklaroi Zeneli.

Komisioni hetimor për shkarkimin e Metës kishte afat deri më 8 dhjetor për të dalë me një raport përfundimtar nëse do të shkarkohej ose jo presidenti i republikës.

Presidentit Meta po hetohet në lidhje me dekretet që ka lëshuar për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit dhe dekretimin e zgjedhjeve më 13 tetor. Maxhoranca ka kërkuar që Presidenti të hetohet edhe për dekretimin e Marsida Xhaferllarit si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, për shkak se ka shkelur kushtetutën me emërimin e saj në këtë post. Pak muaj më herët presidenti Meta paralajmëroi se Shqipëria do të goditet nga një tërmet i fuqishëm, siç duket tërmeti doli në favor të tij pasi kërkohet shtyrja e vendimit për shkarkimin e tij.  

Profesori i sizmiologjisë flet me fakte shkencore: Nuk do të ketë tërmet të tretë

Profesori i njohur, Shyqyri Aliaj, garanton se nuk do të ketë një tërmet të tretë të ngjashëm me tërmetin e 21 shtatorit dhe me atë të 26 nëntorit, ndërsa jep edhe faktet shkencore ku bazohet në këtë konkluzion të tij. Sizmiologu thotë se të gjitha pasgoditjet që pasuan tërmetin e madh të 26 nëntorit po shkojnë drejt shuarjes.

“Jo nuk do të ndodhë! Çdo termet ka një zonë vatre, ka volum, ka shtrirje… Vatrat e vendit tonë janë vatra në koren e tokës që shkojnë nga 50 deri në 70 km. Vatra e tërmetit të fundit ishte me shtrirje të vogël, 40 km nga Durrësi deri në Gjirin e Drinit. Në këtë segment 40 km do kohë që të përpunohet e gjitha. Pra këto pasgoditje që kanë ndodhur këto ditë kanë ardhur pasi po përpunohet vatra. Tashmë pasgoditjet po shkojnë drejt shuarjes. Aktiviteti sizmik po shuhet. Në ditët në vijim Tirana nuk duhet të shqetësohet. Pasgoditjet mund të ndjehen pak në zonat bregdetare. Në ditët në vijim këto do të rrallohen, mund të jetë ndonjë me magnitudë më pak se 4, por më të mëdha nuk do të ketë.

Është një zonë që akumuluar energji dhe vjen koha që një energji e akumuluar që bëhet aq e madhe që është në mes dy pllakave afrikane me pllakën europiane. Kur përplasen këto pllaka, pllaka afrikane zhytet futet poshtë pllakës euroaziatike e saldojnë shkëmbin dhe gjeneron tërmetin. Është një lëvizje e kontinenteve. Ky ndërveprim gjeneron tërmete në ultësirën perëndimore të Shqipërisë”, është shprehur Shyqyri Aliaj  për ABC news.

Rama takon ndërtuesit në Durrës: Nisni urgjent punën, ngrini kantieret

Kryeministri i vendit Edi Rama ka zhvilluar një takim urgjent me ndërtuesit në Durrës. Rama tha se ndërtuesit duhet të nisin urgjent punë, të ngrenë kantieret, pasi përndryshe ndaj tyre do të ketë masa të ashpra.

“Mendoj se për banesat janë të pabanueshme, ndërtuesit janë për privim lirie. Por gjykata do vendosë. Ajo që bëjmë ne është që këta ndërtues ku ka dëme të mëdha për shkak të ndërtimit, Prokuroria t’i dërgojë në gjykatë. Në raste kur ka dëmtime, duhen bërë rikonstruksione. Aty ku ka dëme të riparohen. Nëse riparoni, do të qetësoni edhe ndërgjegjen tuaj. Po i bie shumë shkurt, se s’dua të bëj filma. Që nesër bashkia do jetë në dispozicionin tuaj, gati për të nisur punë. Ngrini menjëherë kantieret. Ne do vëmë njerëz mbi kokë, ju jeni në rregull. Kush tërhiqet nga kjo punë, do të jem unë dëshmitar. Ua keni detyrim popullit, ua keni për detyrë fëmijëve tuaj t’ua lini emrin pa njollë”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama premton se të gjitha inertet e banesave të shkatërruara nga tërmeti i 26 nëntorit, do të pastrohet brenda këtij muaji. “Tani, disa gjëra që duhet nesër të jenë në tavolinë. E para lista e investitorëve që kanë ndërtuar pallatet, të cilat janë me dëme por janë nga pikëpamja strukturore ok, për të cilat grupet thonë që ky riparohet. Këta do thirren të gjithë dhe do iu thuhet bëhu gati do i riparosh një për një, jo si të thuash ti po si të themi ne, me gjithë parametrat teknikë me supervizion tek koka, çdo gjë. Unë dua nesër në darkë informacion kush janë këta dhe ku janë këta. Se mund të ketë ndonjë që nuk është këtu, ndonjë që bën si i falimentuar ose është i falimentuar, nuk ka rëndësi. Listat dhe personat dhe gjëja e parë t’i që e ke marrë detyrën dhe do drejtosh bashkinë deri në zgjedhje, do i thërrasësh ti. Pallatet që janë minus, që janë negativ, pra ky nuk bëhet, do shemben por është problemi i inerteve. Na duhet nesër harta e Durrësit me pikat ku janë inertet. Do ta pastrojmë para Vitit të Ri komplet. Siç u pastrua Lana me kuadrate. Kompanitë e ndërtimit do t’i thërras unë ky është kuadrati jot, shko pastroje. Tjetra, inertet do të depozitohen të gjitha në Porto Romano. Do çohen inertet dhe do fillojë menjëherë projekti ta heqim atë fushë plehrash e ta bëjmë park komplet atje siç bëhen në botë nga këto inerte parqe, ne e kemi filluar punën tani me këtë rast edhe inertet dhe parkun dhe fitojmë parkun”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë ka kërkuar edhe hartën hapësirën e tokës shtetërore pranë Universitetit të Durrësit. “Dua hartën e tokës shtetërore që është në zonën e Universitetit, ka një tokë aty ngjitur me zonën ekonomike, dua hartën me të gjitha të dhënat, hapësira. Nesër i dua të gjitha këto. Nga nesër në mëngjes, të gjithë punonjësit e administratës do bëjnë atë që bënte ajo goca, që kishit çuar që shpjegonte. Në çdo pikë ku ka njerëz do jenë dy persona, jo një se e marrin përpara, dy persona gra dhe vajza kryesisht që të rrinë atje të durojnë dhe t’u shpjegojnë me qetësinë më të madhe. Pjesa e akomodimit, mos i vononi kush vjen, të regjistrohet dhe është realisht një person që ka probleme që nuk banon dot në shtëpi ta çojmë në hotel, por duhet të jetë i verifikuar”, tha Rama.

Skip to toolbar