Nis mbledhja e ndihmave për të prekurit nga tërmeti. Ja si mund të dhuroni

AKTUALITET


Pranë Bashkisë së Tiranës ka nisur mbledhja e ndihmave për banorët e prekur nga tërmeti. Shumë banorë të Tiranës kanë shfaqur solidaritetin e tyre duke dërguar ndihma ushqimore, apo në veshje për familjet që janë prekur më shumë nga tërmeti i 26 nëntorit. Ndërsa qeveria ka vënë në dispozicion në faqe online për të dhuruar para duke nisur nga 1 lek apo 1 euro për familjet e prekura nga tërmeti në Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama njoftoi të gjithë ata që duan të ndihmojnë banorët e prekur nga tërmeti, se mund të depozitojnë ndihmat e tyre përmes aplikacionit e-Albania.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë, Rama tha se “kemi përgatitur një adresë të vetme në platformën e-Albania për të gjitha ndihmat dhe kontributet, e cila mundëson inventar dhe transparencë të plotë”.

Ai theksoi se “kjo mënyrë mundëson inventar dhe transprencë të plotë për çdo ndihmë dhe lehtëson jashtëzakonisht shumë rrugën e dhënies së ndihmës”.

“Në faqen hyrëse të platformës dixhitale të qeverisë të shtetit e-Albania, ka 3 rubrika: një është rubrika e dhurimit online të çfarëdo shume nga 1 euro, apo 1 dollarë, apo 1 lekë, në varësi nga vendi ku jepet kontributi deri në sado qoftë lind në zemrën e secilit, në një rrugë shumë të shpejtë dhe të thjeshtë. Rruga e dytë e kontributeve në llogari bankare dhe rruga tjetër, kontributi i 3. Ka pasur shumë njerëz që kanë dhënë kontribute materiale, ushqime, veshje për fëmijët dhe shumë të tjerë, që kanë ofruar hapësira për të mikpritur njerëzit në nevojë apo dhe gatishmërisë për të mirëpritur një familje deri në adresimin e strehimit”, shtoi Rama.

Kryeministri iu lut të gjithëve atyre që duan të kontribuojnë të fokusohen te e-Albania dhe atyre që kanë ndihma materiale apo për fëmijë, që të adresohen vetëm tek Emergjencat Civile.



Skip to toolbar