Ministria e Mbrojtjes konfirmon se janë nxjerrë gjithsej nga rrënojat 49 trupa të pajetë, ndërkohë që janë mbyllur zyrtarisht kërkimet në Thumanë, te Këneta në Durrës, te pallati pranë Kryqit të Kuq dhe te Rruga Shoqëria e njohur si “Dy Gjelat”. Sipas ministrisë vijojnë kërkimet vetëm te rrënojat e hotel “Mira Mare” në Durrës ku dyshohet për një trup të pajetë.
Gjatë ditës në rrënojat e hotel “Mira Mare’ në Durrës u punua nga ekipet e kërkim shpëtimit nga Serbia dhe Mali i Zi, ndërsa dyshimet janë se gjendet vetëm një trup i pajetë. Fillimisht grupi i kërkim-shpëtimit tek hotel Mira Mare i ndërpreu punime, por një grup kroatësh bënë kërkimet e fundit me qen nuhatës dhe mesa duket sinjali nga qentë është dhënë se nën rrënoja ka ende persona. Megjithatë në orët e mbrëmjes kërkimet u ndërprenë për të rifilluar të shtunën.
Gjatë mesnatës u nxorën dy trupat e fundit të pajetë nga rrënojat e dy ndërtesave të shembura në Durrës, atë të Ilir Lalës në vilën 4-katëshe në Kënetë të Durrës, aty ku tragjedia goditi më fort me vdekjen e 8 anëtarëve të një familjeje, dhe të Xhuljeta Gjonajt në pallatin tek “2 Gjelat” po në qytetin bregdetar.
Tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit me magnitudë 6.4 la pas 49 viktima dhe mbi 900 të plagosur që kanë kërkuar ndihmë në qendrat spitalore. Ndërsa dëmet materiale në Thumanë, Durrës, Laç, Tiranë, Shija e Shkozet janë të mëdha.