Ka mbërritur sot në Tiranë trupi i pajetë i Major Klodian Tanushit, i cili humbi jetën në 10 maj si pasojë e një aksidenti në bazën ushtarake të NATO-s në Letoni.
Arkëmorti i tij u prit në një ceremoni ushtarake të organizuar nga ministria e Mbrojtjes. Në ceremoninë e organizuar në Rinas ishin të pranishëm familjarë të majorit, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, kolegë ushtarakë nga të gjitha forcat.
Homazhet për nder të tij dhe ceremonia shtetërore do të zhvillohet ditën e enjte tek Muzeu Historik Kombëtar. Majori do të prehet në paqe në “Varrezat e Dëshmorëve”, pranë dëshmorëve të tjerë.
Tanushi nuk mundi që t’i mbijetonte plagëve të marra si pasojë e shpërthimit të një mine gjatë misionit në Letoni ku humbi jetën edhe nëntetarja Zerife Hasanaj.