Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar të martën një takim me pedagogë dhe drejtues shkencorë dhe fill pas këtij takimi ka dalë me një listë prej 4 kërkesash drejtuar qeverisë së Ramës. Presidenti i kërkon qeverisë krijimin e një harte rreziku ku të saktësohen se cilat janë zonat me rrezik sizmik, cilat rrezikohen nga përmbytjet dhe cilat nga zjarret. Meta gjithashtu kërkon zbatimin e detyrueshëm të eurokodeve në ndërtimin e objekteve të banimit, si dhe rishikimin e buxhetit për vitin e ardhshëm.
“Fillimin e punës sa më parë, për azhornimin dhe kompletimin e një Harte të re Fizike të Riskut për Shqipërinë në të cilën do të përfshihen dhe saktësohen zonat me rrezik sizmik, si dhe të gjitha territoret e kërcënuara nga erozionet, përmbytjet, rrëshqitjet, zjarrjet, etj;
Zbatimin e detyrueshëm në të gjithë territorin e vendit të sistemit të eurokodeve në ndërtimet civile dhe objektet e banimit, pa asnjë përjashtim;
Plotësimin e legjislacionit të planifikimit urban me elementë të rinj sigurie, sipas procedurave bashkëkohore, në projektimin dhe ndërtimin e objekteve të ndërtimit;
Në kuadër të rishikimit të Buxhetit 2020, për përballimin e pasojave tepër të rënda, duhet të planifikohet edhe mbështetja e domosdoshme financiare për institucionet përkatëse të kërkimit shkencor”, njofton presidenti.
Më herët edhe kreu i PD-së, Basha përsëriti edhe njëherë listën me 3 kërkesat e tij për përballimin e situatës pas tërmetit ku prevalon kërkesa e zhbërjes së koncensioneve.