Itali, përplasje mes protestuesve dhe policisë, përdoret gaz lotsjellës

BOTA


Përplasje të dhunshme janë regjistruar mes protestuesve të rinj dhe forcave të rendit pranë stacionit hekurudhor të Bolonjës, në Itali, ku policia përdori gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë për të shpërndarë turmën.

Në sheshin “Medaglie d’Oro”, protestues të maskuar hodhën gurë dhe sende të ndryshme në drejtim të forcave të rendit, ndërsa dhjetëra biçikleta me qira të shërbimit Mobike u rrëzuan përtokë.

Sipas raportimeve, deri më tani shtatë persona janë ndaluar nga policia. Disa të rinj të tjerë dyshohet se janë bllokuar nga forcat e rendit në një kryqëzim të bulevardeve rrethues, mes urës së rrugës “Matteotti” dhe rrugës “Indipendenza”.

Policia dhe karabinierët, të pajisur me helmeta dhe mburoja, kanë rrethuar zonën përpara stacionit, ndërsa përdorimi i gazit lotsjellës dhe topave të ujit vijoi edhe përgjatë rrugës qendrore “Indipendenza”, ku protestuesit u zhvendosën pas përplasjeve në shesh.

Marshimi kishte nisur pasditen e së shtunës nga sheshi “Minghetti”, me thirrje kundër rritjes së kostos së jetesës dhe çmimeve. Më pas, protestuesit vijuan përgjatë rrugëve “Farini” dhe “Marconi”.

Pranë stacionit hekurudhor, një grup demonstruesish u shkëput nga kortezhi kryesor dhe u drejtua drejt sheshit përpara stacionit, ku hodhi bomba tymuese, shishe qelqi dhe barriera metalike.

Protesta është pjesë e një dite mobilizimi studentor të zhvilluar në disa qytete italiane.

Kryetari i Bashkisë së Bolonjës, Matteo Lepore, dënoi ashpër incidentet, duke i cilësuar skenat e regjistruara pranë stacionit si të papranueshme.

“Shkatërrimi i pronës publike, dëmtimet dhe dhuna nuk kanë asnjë justifikim”, deklaroi Lepore.

Ai iu drejtua të rinjve që po protestojnë në qytete të ndryshme të Italisë, duke i ftuar të distancohen nga personat që shfrytëzojnë demonstratat për të shprehur zemërimin përmes dhunës dhe shkatërrimit të hapësirave publike.

“Dhuna diskrediton, para së gjithash, arsyet e atyre që protestojnë”, theksoi kryebashkiaku, duke shprehur gjithashtu mbështetjen e tij për forcat e rendit që po përpiqen të vënë situatën nën kontroll.

Lepore shtoi se, sipas informacionit që dispononte bashkia, manifestimi nuk rezultonte të ishte i autorizuar.



Skip to toolbar