Policia e Tiranës ka zbardhur vjedhjen e një banese në Kamëz, ku janë marrë 2 milionë lekë të reja, ndërkohë që autorë të vjedhjes dyshohet se janë kushërinjtë e pronarit të shtëpisë. Ngjarja ka ndodhur më 11 nëntor, ndërkohë që mbrëmjen e së martës, policia ka vënë në pranga një 25-vjeçar dhe ka proceduar penalisht në gjendje të lirë dy adoleshentë.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.5, finalizuan me metoda proaktive operacionin policor të koduar “Cousins” në kuadër të të cilit u arrestua shtetasi: A. Q., 25 vjeç, banues në Kamëz (kushëri i pronarit të banesës së vjedhur, shtetasit Xh. Q.,). si dhe u proceduan në gjendje të lirë shtetasit G. Q., 15 vjeç, dhe A. Q., 14 vjeçe, banuese në Kamëz”, deklaroi policia
Sipas policisë, Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se në datë 11 nëntor 2016, këta tre shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur banesën e shtetasit Xh. Q., ku kanë marrë 2 milionë lekë të reja.