Donacionet e qytetarëve dhe bizneseve, të bëra përmes portalit e-albania dhe të dedikuara për të prekurit e tërmetit të 26 Nëntorit, do të bëhen të gjitha transparente. Ministrja e Financave, teksa prezantoi buxhetin 2020 në seancë plenare, dha garanci se çdo qindarkë do të përdoret siç duhet.
Sa i takon buxhetit të vitit të ardhshëm, Denaj theksoi se investimet publike do të vijojnë të jenë në nivelin 4.7 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, do të vijojnë të financohen sektorët prioritarë dhe se i vetmi ndryshim në funksion të situatës së jashtëzakonshme, është rishikimi i projekteve të reja.
Situata emergjente e krijuar pas tërmetit të datës 26 nëntor ka sjellë dhe nevojën për rishikimin e projektbuxhetit 2020. Lidhur me këtë çështje, Ministrja Anila Denaj bëri me dije se fondi i veçantë që do të krijohet për rindërtimin do ketë si burim financiar nga buxheti i shtetit, për vitin 2020, 0.4% të Produktit të Brendshëm Bruto. Këtij fondi do t’i bashkohen edhe fondet e mbledhura nga donacionet në portalin e-albania dhe në llogaritë e qeverisë në bankat e nivelit të dytë dhe në Bankën e Shqipërisë.
Pavarësisht situatës së krijuar pas fatkeqësisë natyrore, Ministrja theksoi se parametrat makro-fiskalë pozitivë që janë shënuar në vitet e fundit do të vazhdojnë të jenë të qëndrueshëm edhe për vitin që vjen, me një balancë primare pozitive në nivelin e 0.25%.
Denaj tha se Projektbuxheti 2020 do të mbajë nivelin e investimeve publike në nivelin e 4.7% të Produktit të Brendshëm Bruto dhe do mbështesë sektorët prioritarë si arsimi, shëndetësia dhe bujqësia, apo reformën në drejtësi.
“Në kuadër dhe të transparencës, është e nevojshme të theksohet që asnjë nga këto diskutime për investime nuk do të preken. I vetmi ndryshim që ne do të diskutojmë në komisionet parlamentare nen për nen është zëri i projekteve të reja. Pse? Sepse mendojmë se projektet e reja përpara tërmetit kanë pasur një adresim nevojash jashtë kësaj situate dhe aktualisht të gjitha projektet e reja do të duhet të ridiskutohen me komisionin e Financave dhe Ekonomisë për tu riadresuar aty ku është e nevojshme, që të përmirësohen si masa parandaluese për situata të ngjashme ose fatkeqësi të tjera natyrore, ashtu edhe për të ndihmuar nevoja të cilat institucione të caktuara do të kenë në mënyrë imediate. Theksoj edhe njëherë që fondi do të jetë një fond më vete”, u shpreh Ministrja.