Kryeministri kërkoi në mbledhjen e qeverisë miratimin e një klauzole të veçantë për ligjin e shpifjes në gjendjen e jashtëzakonshme, duke kërkuar ashpërsim të dënimit, pasi siç theksoi ai lajmi i rremë e kriminal se po shembet spitali shkaktoi një person të vdekur.
“Mendoj që në këtë seancë duhet të përcaktojmë një klauzolë të veçantë në ligjin e antishpifjes që besoj do të hyjë në seancë në datën 19 më në fund për gjendjen e jashtëzakonshme. Shpifja në gjendjen e zakonshme është e dënueshme, shpifja në gjendje të jashtëzakonshme duhet të jetë e superdënueshme. Lajmet e rreme dhe lodrat mediatike në situata si kjo që kaluam, janë kriminale. Mjafton rasti i Durrësit, një lajm kriminal i shpërndarë se po bie spitali i Durrësit, solli një të vdekur, pa llogaritur kaosin dhe të plagosurit në përpjekjen për të ikur me vrap nga spitali. Spitali nuk kishte asgjë. Janë gjëra që duhet të dënohen fort”, deklaroi Rama.
Gjatë situatës së jashtëzakonshme, në disa raste kryeministri Rama u është drejtuar medieve por edhe platformave në rrjetet sociale që të kenë kujdes dhe të mos shpërndajnë lajme që shkaktojnë panik, duke theksuar madje se ligji i jep të drejtë qeverisë që në një situatë të jashtëzakonshme t’i mbyllë këto media.