Shqipëria merr sot Presidencën e OSBE

POLITIKË


Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj do të udhëtojnë të premten drejt Bratislavës, për marrjen e Presidencës së OSBE. Lajmin e dha vetë kryeministri Rama gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme të qeverisë për situatën pas tërmetit gjatë ditës së premte.

“Shqipëria merr Presidencën e OSBE dhe do të kem një ngarkesë plus për të drejtuar OSBE. Duhet të shkoj sot në Bratislavë për të marrë detyrën. Dhe direkt nesër do të shkoj në Stamboll në takimin që ka organizuar Presidenti me investitorë dhe biznesmenë. Besoj se do të kthehem me çadra me vete. Por duhet menaxhuar sa më mirë kjo logjistikë. Ka vlerë të madhe për të qenë pjesë e gjithë logjistikës sonë në vijim”, tha Rama gjatë mbledhjes së qeverisë.


Shqipëria u bë anëtare e OSBE në verën e vitit 1991 dhe në 2020 merr për herë të parë drejtimin dhe presidencën e saj.

OSBE mbetet organizata më e madhe në botë, e orientuar nga siguria. Ajo u krijua në vitin 1975, në kohën e Luftës së Ftohtë, si një forum Lindje-Perëndim. Mandati i OSBE-së përfshin edhe kontrollin e armëve, promovimin e të drejtave njerëzore, lirinë  e shtypit dhe zgjedhjet e ndershme. OSBE angazhohet gjithashtu në parandalimin e konflikteve dhe menaxhimin e krizave. Aktualisht 57 shtetet e saj anëtare shtrihen në Europë, Azi dhe Amerikën Veriore.




Skip to toolbar