“60 kompani ndërtimi nën hetim. Të hënën dosjet të jenë gati”

AKTUALITET


Në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë mëngjesin e së premtes, kryeministri Rama tha se policia ka regjistruar 60 kompani ndërtimi që lidhen me ndërtimet me probleme dhe që janë në proces hetimi. Kryeministri kërkoi që dosjet për të gjitha ndërtimet me probleme, për të cilat është vendosur se do të shemben, të jenë gati ditën e hënë, ndërsa pastrimi i inerteve në objektet e shembura duhet të përfundojë brenda dhjetorit. Kryeministri gjithashtu tha se në seancën e fundit të parlamentit më 19 dhjetor duhet të miratohet ligji për rindërtimin, pasi ndërtimet e reja nuk mund të realizohen me procedurën normale ndërkohë që vendi ndodhet në një situatë të jashtëzakonshme. Rama propozoi që familjet që duan ta ndërtojnë vetë shtëpinë në fshat dhe që nuk duan të lëvizin prej aty, qeveria t’i asistojë dhe t’i japë në dorë 20 milionë lekë.

“Të bëhen dosjet e pallateve që do të shemben. Deri ditën e hënë të jetë plani i punës në tavolinë. Kombinati dhe për pastrimin e inerteve ta bëjnë kompanitë me kontribut. Në Durrës kjo është vënë në vijë. Të fillojmë pa humbur kohë edhe transformimin e fushës në Porto Romano. Brenda Dhjetorit të mbyllen dhe të mos shkojnë më plehra në Porto Romano. Është momenti të mbyllet edhe plaga e madhe e maleve të Krujës, të fashohen.


Në Tiranë dhe Durrës është gati të fillojë procesi i meremetimeve, në Durrës janë 12 kompani, unifikoni procedurën me Tiranën, për 24 orë të jepet leja, por plani i supervizionimit të jetë i joni. 60 firma në Durrës janë të regjistruara nga policia dhe hetimi përkatës si kompani që lidhen me godina të ndërtuara, 12 janë gati, një apel të tjera që të vijnë, nëse duan të lajnë një pjesë të shpirtit të tyre në këtë proces. Hetimi vijon. Janë 30 persona në grupin e hetimit të policisë kriminale bashkë me prokurorët që po mbledhin dokumentet. Nuk ka asnjë provë që fshihet të gjitha vendngjarjet janë të mbyllura nga pikëpamja e dokumenteve, provave, fotografimi, etj. Duhet bërë edhe lista e kompanive që përmbushin parametrat e sigurisë që do të jenë pjesë e shortit për ti ftuar më pas në programimin e rindërtimit. Ky program kërkon një fuqi punëtore të madhe. Kemi një problem me fuqinë punëtore, të marrim edhe nga jashtë. Duhen mijëra njerëz që do të përfshihen në punë. Në seancën e datës 19 ta kalojmë në parlament, që e kemi bërë gati që në tetor për aksesin e fuqisë punëtore nga jashtë”, tha Rama.

Ai kërkoi miratimin e një ligji për rindërtimin.

“Klotilda Ferhati, Etilda Gjonaj dhe Edlira nga Kryeministria duhet të kenë sa më shpejt draftin e ligjit të posaçëm për rindërtimin. Është koha e shkurtër, e di, por ju lutem që në 19 dhjetor në seancën e fundit të çojmë ligjin e posaçëm për rindërtim. Nuk mundet që rindërtimi të bëhet me procedura normale, prandaj është e rëndësishme të kemi një ligj të posaçëm për rindërtimin, duhet ta koordinojë si agjenci Fondi Shqiptar i Zhvillimit”, tha Rama.

Sipas kryeministrit kush ndërton shtëpinë vetë në fshat do të marrë 20 milionë lekë në dorë nga qeveria.

“100% të qirasë për një vit për ata që nuk kanë strehë, 65% e njerëzve në nevojë hyjnë në ditët në vijim, ky proces Ogerta duhet ndjekur nga ti pavarësisht se bashkia Tiranë e ka përgjegjësinë direkte. Thjeshtë një sy nga ana e qeverisë është i nevojshëm. Sot e vijim do të akomodohen të prekurit nga tërmeti i shtatorit. Të bëhet gati për shtëpitë individuale. Për ata që janë në fshat dhe duan të ndërtojnë vetë shtëpitë t’u japim financim, mesatarisht 20 mln lekë të vjetra, pasi fitojnë kohë dhe nuk rrinë të presin të vijë dikush, por me një supervizionim që të garantojë të gjithë parametrat. Shtëpitë individuale së bashku me komunitetin dhe shoqatat e solidaritetit, rruga tjetër me para në dorë për ata që paraqiten dhe duan të ndërtojnë vetë shtëpinë”, tha Rama.

Kryeministri bëri thirrje që banorët që u janë shpërndarë çadra të mbahen shënim dhe çadrat të mblidhen sërish pasi të përfundojë situata e jashtëzakonshme pasi qeveria duhet të jetë e përgatitur për raste të tjera.

“Edhe diçka që u tha të mbledhja me presidentin, të gjitha çadrat do të jepen me përgjegjësi personave, e pastaj fillon tregtia e çadrave, është një pasuri që na duhet të jetë aty për çdo emergjencë nesër, përmbytje e kështu me radhë. Kthimi i çadrës do të jetë përgjegjësi e çdo personi që e merr. Nuk mund të përdoret për bagëti apo të jepet me qira më pas. Shfaqen lloj lloj dykëmbëshash që bëhen me gjashtë këmbë”, tha kryeministri.




Skip to toolbar