Prokurorët kanë zbardhur atentatin që iu bë dy vëllezërve mbrëmjen e të mërkurës në Tepelenë. Sipas tyre ka qenë vetëm një autor që ka vepruar duke vrarë fillimisht njërin prej vëllezërve në vendin e tij të punës dhe më pas ka ikur të plagos tjetrin. Autori është shfaqur fillimisht në kantierin e ndërtimit për Bypass-in e Tepelenës, ku Artur Bresha, 47 vjeç, punonte si roje. Pasi ka qëlluar për vdekje 47-vjeçarin, autorit i armatosur dhe pa maskë ka marrë makinën e tij dhe i është drejtuar dyqanit që kishte në pronësi vëllai tjetër Artan Bresha, 43 vjeç.
Kur ka parë makinën e të vëllait, 43-vjeçari ka dalë te dera e dyqanit, por është hasur me plumbat e autorit, i cili këtë herë kishe vënë maskë. Ai e qëlloi dy herë në këmbë duke e lënë të plagosur, duke lënë të kuptohet se nuk ka pasur si qëllim eliminimin e tij.
Më pas autorit është larguar me makinën e vëllezërve “Mercedes Benz” dhe e ka braktisur atë pranë digës së Bënçës, rreth 4 km larg qytetit të Tepelenës. E gjithë dinamika e ngjarjes u zbulua nga kamerat e sigurisë së rrugës dhe kantierit të ndërtimit ku u vra njëri nga vëllezërit.
Shkak i atentatit dyshohet të jetë prishja e pazareve të drogës dhe borxhet, pasi vëllai i mbetur i plagosur Artan Bresha është një person me precedent penal. Ai është dënuar para 8 vitesh për trafikimin e 820 kilogramëve drogë me maune.