Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan do të diskutojnë të premten mbi akuzat që do të ngrenë kundër Presidentit Donald Trump, me synim shkarkimin e tij.
Dje Kryetarja e Dhomës, Nancy Pelosi urdhëroi Komisionin e Çështjeve Juridike të hartojë listën e akuzave zyrtare. Komisioni ka kohë deri më 12 dhjetor për të hartuar dhe rekomanduar listën e akuzave, pas më shumë se dy muajsh hetime, intervista me dëshmitarët dhe seancash dëgjimore gjatë të cilave u hetua nëse presidenti republikan ka shpërdoruar pushtetin.
Në qendër të hetimit të udhëhequr nga demokratët është kërkesa e Presidentit Trump që Ukraina të fillonte një hetim ndaj ish-nënpresidentit Joe Biden, rivalit kryesor politik të zotitt Trump për zgjedhjet e 2020-s.
Presidenti mohon se ka bërë ndonjë shkelje. Ai ka refuzuar të bashkëpunojë me hetimin e demokratëve, të cilin ai e quan mashtrim./VOA/