Efektivi i RENEA-s Bledar Beluli i cili është rrëzuar në Theth të Dukagjinit ndodhet në një gjendje të rëndë shëndetësore. Mësohet se efektivi ka thyer duart dhe brinjët ndërsa mendohet se ka dëmtime edhe në pjesën e legenit dhe është në një situatë të vështirë.
E vetmja mundësi raportojnë banorët që ndodhen në vendngjarje për ta shpëtuar është vetëm përmes helikopterit, në të kundërt jeta e tij është në rrezik. Efektivi Beluli është rrëzuar që në orën 7:30 të mëngjesit dhe jeta e tij është në rrezik.
Një grup i FNSH Shkodër janë nisur drejt vendit të ngjarjes ndërsa aty ndodhen edhe disa banorë, por është e pamundur që efektivi i rrëzuar të nxirret fizikisht. Ai ka rënë rreth 100 metër poshtë një shkëmbi në një terren tejet të thepisur që nuk lejon ecjen në këmbë dhe asnjë lloj veprimi tjetër.
E vetmja mundësi për t’u ulur aty është përmes litarëve ndaj kërkohet vetëm ardhja e helikopterit për ta shpëtuar nga ajri duke ulur barrelën me litar që kanë helikopterët dhe me ndihmën e banorëve në të kundërt çdo formë tjetër rrezikon jetën e tij. Temperaturat atje ku është rrëzuar janë të ulëta ndërsa banorët kanë ndezur një zjarr fillimisht, por zjarri është fikur dhe i plagosuri vazhdon që të jetë në mes të ftohtit dhe me shumë dëme në trupin e tij.