“500 milionë euro dëme”, gazetari publikon tabelën me kostot e rindërtimit nga tërmeti

#NËRADAR


Gazetari i ekonomisë, Fatos Çoçoli foli në “Real Story” të gazetarit Sokol Balla në lidhje me pasojat ekonomike që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit. Çoçoli bëri një bilanc të kostove financiare që Shqipëria do të duhet të përballojë për rindërtimin pas tërmetit. Sipas llogarive të tij, kostoja paraprake shkon në rreth 500 milionë euro.

“Ekonomia nuk pret. Çdo minutë që kalohet është në dëmë të ekonomisë. Shifra e dëmeve mendoj se është afër reales, 499 milionë euro”, tha ndër të tjera Çoçoli. Ai foli edhe për pasojat që tërmeti ka në ekonomi. Sipas tij, sektori që preket më shumë është turizmi. Çoçoli propozoi që për këtë sektor të ketë një paketë fiskale lehtësuese nga qeveria, duke përfshirë heqjen e disa taksave.

“Asaj që i frikësohem më shumë është sektori i turizmit. Shpresoj që të mos ketë inerte për periudhën e parë të sezonit. Goditja ndaj imazhit, ndaj sigurisë së destinacionit Durrës është shumë e rëndësishme. Ne duhet të përcjellim mesazhin që Durrësi është i sigurtë. Duhet të ketë taksa zero për Durrësin turistik. Duhet të ketë vetë promovim dhe kalendari i aktiviteteve duhet të përqëndrohet atje. Ne kemi 1.7 miliardë euro që gjenerohet nga turizmi. Duhet të rikuperojmë këtë sitautë me një politikë fiskale”, tha Çoçoli.

Ndërkohë, inxhinieri i ndërtimit, Arben Meçe, u shpreh se Shqipëria është në luftë me kohën për procesin e rindërtimit. Ai tha se nuk do të jetë e lehtë përballimi i kësaj situate, por shprehu besimin se vendi do ta përballojë. “Unë nuk jam pesimist, por dëmtimet janë ato që janë. Kemi kaluar goditje më të rënda dhe i kemi kaluar. Sfida është shumë e madhe. Jeta do vazhdojë, lufta me kohën është sfida jonë. Nëse fitojmë këtë luftë, kemi arritur të kalojmë sfidën më të madhe”, tha Meçe. /Realstory.al/

Tabela e kostos së dëmeve sipas gazetarit Fatos Çoçoli


Skip to toolbar