“Babale”, 1.6 vite burg Salianjit: Do kërkoj arrestim të prokurorëve

AKTUALITET


Prokuroria ka kërkuar dënimin e ish-deputetit të PD, Ervin Salianji, duke sjellë reagimin e ashpër të opozitës, e cila sot kishte rrethuar gjykatën në mbrojtje të të besuarit të tyre. Në pretencën e saj, Prokuroria kërkoi 1 vit e 6 muaj burg për ish-deputetin e PD-së Ervin Salianji, dënim që konvertohet në 3 vite shërbim prove sa i takon akuzave për çështjen ‘Babalaja’, ku vëllai i ish-ministrit të Brendshëm Xhafaj, Agron Xhafaj u akuzua për trafik droge.

Prokurori i çështjes, Kol Hysenaj ka kërkuar dënimin me 3 vite e 6 muaj burg për Albert Veliun, i cili akuzohet për ‘Kallëzim i rremë’ dhe ‘kalim të paligjshëm të kufirit’, ndërsa për Fredi Alizotit, 3 vite burg. Ndërkohë për gazetarin Jetmir Olldashin prokuroria kërkoi 1 vit burg, dënim ky që të zëvendësohet me 200 orë pune publike të detyruara.

Ish-deputeti Salianji akuzohet për kallëzim të rremë në çështjen që njihet si “Babalja” dhe para se ai të përballet me konkluzionet e prokurorisë, në mbështetje të tij, janë mbledhur në gjykatë ish deputetët e PD. I vetmi person që ndodhet në burg për këtë çështje është Fredi Alizoti, i cili akuzohet se është ai personi që ka imituar zërin e Agron Xhafës, vëllait të ish ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafajt. Ndërsa ish deputeti Ervin Salianji dhe gazetari Jetmir Olldashi, akuzohen se kanë kryer kallëzim të rremë.

Në përfundim të pretencës së prokurorisë, ish-deputeti Ervin Salianji ka deklaruar se nuk i druhet dënimit duke i quajtur akuzat sulme politike. Salianji tha se pala e akuzuar kishte të njëjtin qëndrim me prokurorinë. Ai tha se do të kërkojë arrestimin e dy prokurorëve të çështjes. “Nuk i druhem dënimit. E kam thënë në shumë raste kur kam dalë në publik. Janë sulme politike. Asnjë intrigë nuk mund të mposhtë dot të vërtetën. Pati vetëm një devijim nga dënimi për trafik droge i vëllait të ish ministrit të brendshëm, drejt një gjasme pretence ku Prokuroria në këtë rast bëhet pjesë me llumin, por pa diskutim që asnjë intrigë, pabesi tradhti nuk ia del që të mposhtë të drejtën dhe të vërtetën. Prokuroria lexoi fiks atë që tha kryeministri e avokati i Xhafajt. Nuk tërheqim asnjë provë nga ato që kemi paraqitur jo vetëm për Xhafën, por dhe për arrestimin e dy prokurorëve të çështjes. Këta janë prokurorë të drejtësisë së vjetër. Do të shihni që e vërteta është ajo që ne kemi deklaruar. Dënimi im është kërkuar që kur unë kam bërë publik këtë rast”, tha Salianji.

Sipas organit të akuzës, regjistrimet e publikuara, ku flitej për pazare droge, nuk janë origjinale. “Në bisedën e dytë dëgjohet zëri i një burri të dytë. Kampioni i zërit të emërtuar ‘Agroni’ është i një cilësie të dobët. Ky zë nuk është i Agron Xhafajt. Salianji ka bërë kontaktin mes Albert Veliut dhe Jetmir Olldashit”, mësohet të ketë thënë prokurori i çështjes. Nga ana tjetër, përfaqësuesi ligjor i Agron Xhafajt ka kërkuar në seancë gjykimin e fajtorëve. Tashmë seanca e radhës është më 18 dhjetor, pasi dhe avokatët kanë kërkuar kohë për konkluzionet e mbrojtjes.

Por, ajo që vihet re është se prokuroria nuk ka kërkuar një dënim të fortë për ish-deputetin, pasi organi i akuzës ka gjetur një të mesme për të pandehurin Salianji. Neni 305 i Kodit Penal, ku parashikohet vepra penale e kallëzimit të rremë, parashikon dënim nga gjobë deri në pesë vite burg, por që prokuroria ka kërkuar vetëm 1.6 vite burg për Salianjin, që automatikisht konvertohet në dënim me shërbim prove.

Çështja e njohur si “Babale” u bë një temë e nxehtë e politikës shqiptare, duke e bërë situatën më të polarizuar, pasi opozita pretendonte se ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj kishte mbrojtur vëllain e tij, Agron Xhafaj, të dënuar me 7 vjet e 4 muaj burg në Itali. Pasi u publikua audio-përgjimi, Agron Xhafaj u dorëzua tek autoritetet italiane dhe është në qeli, ndërsa Prokuroria nisi paralelisht një hetim.



Skip to toolbar