KPK shtyn vendimin për prokurorin Anton Martini

AKTUALITET


Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shtyrë dhënien e vendimit për prokurorin e Krimeve të Rënda, Anton Martini. Vendimi për Martinin ishte parashikuar që të jepej të enjten (sot) në orën 10:00, por sipas njoftimit të KPK, për shkaqe të arsyeshme seanca nuk do të zhvillohet. KPK njofton se do të ketë një datë tjetër për zhvillimin e seancës ku do të shpallet vendimi për prokurorin Martini.

Prokurori i Krimeve të Rënda, Anton Martini  u përball të martën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit në një seancë dëgjimore ku prokurori kërkoi konfirmimin e tij në detyrë duke thënë se për shkak të saj është kërcënuar disa herë.

 “Jam transferuar në Shkodër me një vendim të paligjshëm. Nga gjithë puna ime kam vetëm një shtëpi dhe një garazh, që ende se kam marrë me letra. E kam marrë shtëpinë me dy kredi, pasi nuk doja te bëhesha i pasur por të blija një shtëpi në një zonë që ishte në influencën e policisë. Unë jam një prokuror që kam marrë shume kërcënime dhe sot e kësaj dite jam në ruajtje nga policia. Ju kam dorëzuar vendimet e ruajtjes. Me qira kam qëndruar pranë komisariatit nr.2 në Tiranë, vetëm për faktin që të kem garanci për sigurinë dhe familjen time”, është shprehur Martini para KPK-së.

Procesi i vetingut për Anton Martinin është marrë përsipër nga trupa gjyqësore e përbërë nga Genta Tafa Bungo, Pamela Qirko dhe Etleda Çiftja. Prokurori Anton Martini është renditur i dyti nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme. Por para se të zyrtarizohet si anëtar i SPAK, prokurori Martini duhet të kalojë procesin e vettingut.



Skip to toolbar