Seanca e parë paraprake në ngarkim të kreut të PD-së, Lulzim Basha për akuzën e falsifikimet të formularëve për përdorimin e parave ruse për lobimin në SHBA do të zhvillohet në datën 13 Janar të vitit 2020.
Lulzim Basha dhe dy zyrtarë të tjerë të PD-së, Arben Ristani dhe Ilir Dervishi do të dalin përpara gjykatësit. Gjyqtari paraprak i dosjes është përcaktuar Lazër Sallaku. Në seancën paraprake gjykata mund të marrë një nga tre vendimet e mëposhtme; të rikthejë dosjen, ta kalojë në gjyq ose ta pushojë për mungesë provash për akuzat që janë ngritur.
Dosja në ngarkim të kreut të PD-së Basha u hartua me përplasje mes prokurorëve të Tiranës, pasi Ervin Karanxha dhe Gjergj Tako kanë qenë dakord dhe vendosën për mbylljen e hetimeve për të marrë të pandehur Lulzim Bashën, por duke hedhur poshtë akuzën e pastrimit të parave pasi dëshmitari kyç Nick Muzin nuk ka pranuar të dëshmojë pa marrë më parë garancinë nga drejtësia shqiptare se nuk do të dënohet për këtë çështje në Shqipëri. Dy prokurorët në fjalë lanë në fuqi vetëm akuzën e falsifikimit të formularëve të PD-së.
Kjo dosje u kundërshtua të firmosej nga prokurori i tretë i çështjes, Kolë Hysenaj, i cili ka kërkuar zgjatje të afateve hetimore me qëllim marrjen e deklarimeve të Nick Muzin. Megjithatë vendimi është marrë 2 me 1 dhe tashmë dosja është dërguar në gjykatë.
Lulzim Basha ndodhet në bankën e të akuzuarve për shkak të hetimit financiar për lobimin me 675 mijë dollarësh me kompaninë “Muzin Capitol Partners”, për të cilat dyshohet se janë përdorur para të ardhura nga kompani ruse.
Më 14 nëntor 2017, “Stonington Strategies” raportoi në Departamentin e Drejtësisë se ka marrë dy pagesa nga Partia Demokratike me vlerë totale 500 mijë USD dhe një pagesë të tretë nga “Biniatta Trade LP” në vlerën e 150 mijë USD. Asnjëra prej këtyre pagesave nuk rezulton e deklaruar në raportin financiar të dorëzuar nga PD në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e 25 qershorit, çka ngre dyshime serioze për origjinën e parave.
Tre zyrtarët e lartë të PD-së akuzohen për “Falsifikim të dokumenteve dhe formularëve”, pasi nuk kanë bërë deklarimin e shumës në pasqyrat financiare të Partisë Demokratike pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ndërsa u pushuan hetimet për “Pastrim të produkteve të veprës penale”.
Në bazë të neni 190/3 për falsifikimin e formularëve ose me paraqitjen e rreme të tyre nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre, që u drejtohet organeve shtetërore, parashikohet dënim me burgim nga 3 deri në 7 vjet burg.