Gjykata e Vlorës ka dënuar me 1 vit burg Mihal Kokëdhimën, pronarin e lokalit të ndërtuar pa leje në Porto Palermo të Himarës “Panorma”, për akuzat e ‘kanosjes’, “dëmtime të tjera me dashje’ dhe ‘shkatërrim prone’. Historia lidhet me sezonin turistik të këtij viti, pikërisht në mes të muajit gusht, kur në restorantin e Kokëdhimës, i cili u shemb pas skandalit, shkuan disa turistë spanjollë me guidë shqiptare. I gjithë sherri nisi për një ngatërresë në numrin e peshqve të porositur nga familja spanjolle e biznesmenit të njohur spanjoll Eugenio Galdon, themelues i kompanisë ‘ONO’.
Eugenio Galdón së bashku me familjen e tij kishte zgjedhur Shqipërinë e bukurive të jashtëzakonshme natyrore, për të pushuar, por u përballë me një situatë aspak të zakontë, që askujt nuk i kishte shkuar ndërmend. Në restorantin ‘Panorma’, që me siguri e ka përzgjedhur për shkak të pamjes fantastike nga deti që ai ofronte, jo vetëm që nuk mori shërbimin e kërkuar, porosia e tij edhe me shumë vonesë, por u përndoq nga pronari i hotelit, Mihal Kokëdhima, kushëri me ish-deputetin Koço Kokëdhima. Mihal Kokëdhima, në një mënyrë krejtësisht të çmendur, i është hedhur me trup furgonit ku ai së bashku me familjen e tij, dhe teksa automjeti ishte në ecje ai godiste me grushte xhamin e përparmë duke e thyer atë.
Në atë kohë, Mihal Kokëdhima u arrestua menjëherë nga policia dhe pavarësisht se vepra penale e kryer nuk ishte e rëndë, gjykata vendosi ta mbajë në “arrest me burg” për shkak të reagimeve të shumta që pati pas asaj ngjarje, dhe nga politika. Në përfundim të gjykimit, gjykata e shkallës së parë ka vendosur 1 vit burg për Kokëdhimën, por që ky është maksimumi i veprës penale të konsumuar prej tij, ku sipas Kodit Penal cilësohet kundërvajtje penale. “Kanosja serioze për vrasje ose për plagosje të rëndë që i bëhet një personi, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit”, thuhet në nenin 84 të Kodit Penal. Për shkak të reagimeve mbi ngjarjen, gjykata ka vendosur dënimin maksimal për Kokëdhimën.