Rama: Keqardhje për ata që çirren për diktat imagjinar mbi mediat

POLITIKË


Pavarësisht akuzave dhe kritikave të shumta nga gazetarët por edhe disa organizatat ndërkombëtare në lidhje me projekt-ligjin për anti-shpifjen, kryeministri Rama vijon të këmbëngul se kjo paketë nuk ka aspak lidhje me cenimin e fjalës së lirë dhe se i gjithë projekt-ligji është bërë i dakordësuar me OSBE pas një pune 1-vjeçare. Rama shprehet se ligji do kalojë nesër në parlament dhe se ndjen keqardhje për ata që lirinë e shprehjes e përdorin për t’u ankuar për mungesën e lirisë dhe çirren për diktat imagjinar mbi mediat.

Keqardhje për ata që lirinë e shprehjes e përdorin për t’u ankuar për mungesën e lirisë; për ata që nxjerrin deklarata pa lidhje fare me ligjin e ri; për ata që çirren për diktat imagjinar mbi mediat dhe për të gjithë bashkë që as nuk e kanë lexuar tekstin. Projekti do të hyjë nesër për miratim në seancë pas një pune të përbashkët thuajse njëvjeçare me OSBE e i dakordësuar 100% me ekspertët e zyrës së Vienës. I falenderoj për kontributin e çmuar dhe angazhimin në vazhdim për aktet nënligjore Anti shpifje“, shkruan Rama në twitter.


Projekt-ligji për anti-shpifjen do të paraqitet në Kuvend të mërkurën (nesër) për t’u diskutuar dhe më pas miratuar. Në seancën parlamentare pritet të ketë debate të forta pasi edhe opozita parlamentare është shprehur kundër këtij ligji, ndërsa para parlamentit gazetarët dhe opozita do të zhvillojnë një protestë për të mos lejuar miratimin e tij.




Skip to toolbar