Haradinaj refuzon takimin për “Minishengen”, Rama: Kemi ftuar Thaçin

KOSOVA


Kryeministri i larguar i Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një deklarate për shtyp nga zyra e tij, tha se nuk do të marrë pjesë në takimin e radhës me liderët e rajonit për nismën “Minishengen” që do të zhvillohet më 21 dhjetor në Durrës.  Haradinaj e cilësoi këtë nisëm të dëmshme për Kosovën dhe se nuk do marrë pjesë në takimin e radhës me presidentin serb Vuçiç dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zaev.

“Qëndrimi i Kryeministrit në detyrë Haradinaj sa i përket temave që janë trajtuar në takime të tilla, siç është rasti i Minishengenit, tashmë janë të qarta. E ardhmja e vendit është në BE dhe aspirata e Kosovës është lëvizja e lirë në themelet e frymës demokratike të familjes europiane. Çdo përpjekje tjetër nga kushdo, nuk është në të mirë të Kosovës dhe si e tillë nuk përkrahet”, thuhet në njoftimin e qeverisë së Kosovës.


I menjëhershëm ka qenë reagimi i qeverisë shqiptare, ku zyra për shtyp e Kryeministrisë deklaroi se duke pasur parasysh formatin e takimeve rajonale si edhe faktin që në Kosovë nuk është formuar ende qeveria e re, në takimin më 21 dhjetor mes liderëve të rajonit për “minishengenin” është ftuar Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

“Nisur nga një deklaratë e bërë nga kryeministri i dorëhequr i Kosovës sqarojmë se duke pasur parasysh formatin e takimeve rajonale si edhe faktin që në Kosove ende nuk është formuar qeveria e re, Kosova është ftuar në nivelin më të lartë njësoj si në takimin e Ohrit, përmes ftesës drejtuar Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi”, thuhet në reagimin e Zyrës së shtypit të Kryeministrisë së Shqipërisë.

Krijimi i një “minishengeni” ballkanik për lëvizjen lirë të mallrave, njerëzve dhe kapitaleve ka bërë bashkë kryeministrin Rama, presidentin Vuçiç dhe kryeministrin maqedonas Zaev, të cilët kanë mbajtur takimin e parë në Novo Sadi më 10 tetor 2019 dhe më pas më 10 nëntor në Ohër, ku morën pjesë edhe liderët e vendeve të tjera të rajonit. E vetmja që ka zgjedhur të mos përfaqësohet në këto takime ka qenë Kosova, edhe pse ftesa i është dërguar gjithmonë.




Skip to toolbar