Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të zhvillojë të mërkurën intervistat me tre kandidatët për kryetar të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK. Intervistat do të nisin me kandidatin e parë Altin Dumanin dhe më pas me Arben Krajën dhe Edvin Kondilin duke ndjekur të njëjtën procedurë si me intervistimin e kandidatëve për Kryeprokuror. Internvistat do të nisin në orën 9:30 dhe secili kandidat do të paraqesë platformën dhe vizionin e tyre për ndërtimin e kësaj strukture të posaçme.
Procesi i intervistimit do të jetë me audio dhe video dhe do të zgjasë 30-45 minuta për secilin kandidat. Orari i zhvillimit të intervistave do të jetë si më poshtë:
1. Altin Dumani 09:30
2. Arben Kraja 10:15
3. Edvin Kondili 11:00
Në bazë të rregullores, kreu i SPAK-ut do të zgjidhet sipas eksperiencës në ndjekjen e çështjeve sensitive; aftësisë në organizimin dhe drejtimin e një strukture; eksperiencës në çështje me ndjeshmëri të lartë publike ku është dashur edhe bashkëpunimi me median; vizionit dhe planit që do ndjekin për krijimin e Prokurorisë së Posaçme, si dhe imazhit që ata kanë. SPAK-u do të fillojë punë pasi 8 kandidatët të jenë betuar para Presidentit.
Një nga prioritetet që ka drejtuesi i SPAK, me marrjen e detyrës, pritet që të zgjedhë edhe drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, strukturë kjo e cila do të jetë e varur nga SPAK.