Basha mbron Salianjin: Gjykata, palë me krimin

POLITIKË


Kreu i opozitës, Lulzim Basha ka reaguar pas dënimit të Salianjit, duke e marrë në mbrojtje dhe duke sulmuar gjykatës, si të korruptuar dhe palë me krimin.

“Në këto 6 vjet ne jemi përballur me padrejtësinë dhe hakmarrjen politike të Edi Ramës sa herë kemi denoncuar lidhjet e tij me krimin e organizuar dhe me aferat korruptive. Për pothuajse të gjithë përfaqësuesit politikë të Partisë Demokratike, drejtësia e kapur ka vendosur sipas urdhrit dhe interesit politik të Edi Ramës, duke u bërë palë me këtë pushtet të kriminalizuar dhe të korruptuar. A na e ka mbyllur gojën dot ne Edi Rama me të korruptuarit dhe kriminelët e tij në polici, prokurori dhe gjyqësor? Jo! Dhe nuk ka për t’ia dalë kurrë!”, deklaroi Basha. Megjithatë, ai është treguar i kujdesshëm që të mos sulmojë nominalisht gjyqtarin e çështjes, ashtu siç vepruan Gazmend Bardhi dhe Ervin Salianji pas daljes nga seanca e vendimit, të cilët deklaruan se gjyqtari Gjermani ka lidhje me bandën e Lushnjës.

Më tej, Basha mori në mbrojtje edhe gazetarin Jetmir Olldashi, duke u shprehur se ‘PD do të jetë në krahun e çdo gazetari, në krahun e çdo qytetari, që denoncon padrejtësinë, korrupsionin dhe lidhjet e Edi Ramës’.



Skip to toolbar