Debati mbi paketën anti-shpifje ishte temë e emisionit “Real Story” nga Sokol Balla në News 24 me një panel profesionistësh në fushën e gazetarisë. Analisti dhe gazetari Alfred Lela u shpreh kundër paketës ‘anti shpifje’, që u miratua në Kuvend me 82 vota pro, duke thënë se nëse në vend të organit mbikëqyrës AMA të ishte Shkolla e Gazetarisë dhe ai do ishte pro këtij ligji. Ai tha se nuk është pro një zyre shtetërore që mbikëqyr dhe vendos çfarë është gazetareske ose për një shtet që i fut duart kudo. Lela tha se nuk është për vetërregullim apo centralizim, por për një gjë mes të dyjave një co-rregullimi.
“Kodi i etikës i mesit të viteve ‘90 do i mjaftonte gazetarëve për mënyrën e shkrimit e raportimit. Kryeministri ka të drejtë në disa prej gjërave por nuk ilustrojnë të tërën dhe nuk mund të kthehen në një ligj si goditje. Nëse i kthehemi tërmetit është dënuar një vajzë se ka ndarë një lajm të një gazete italiane. Unë nuk jam për një zyrë shtetërore që mbikëqyr dhe vendos çfarë është gazetareske apo jo. Nëse shkolla e gazetarisë do ishte në vend të AMA-s do isha pro. Nuk jam për shtet që i fut duart kudo, jam për shtet të vogël.”
“Ligji është bërë për të goditur mediat online. Është një lloj ‘wild west’ por ka lirinë e vet dhe gjëra që nuk i gjen në mediat tradicionale. Jam kundër shtetit që fut duart aty ku nuk duhet me i fut. Të ia jap Këshillit të Medias, Shkollës së Gazetarisë, një trupe…Meraku im është ky që nëse ata njerëz që do të marrin vendime për çfarë është gazetareske apo ‘fake news’ më e pakta duhet ta dinë për çfarë janë duke folur e shkruar. Nuk jam për vetërregullim, nuk jam për centralizim si na kthen ky ligj, por janë për një Co-rregullim, një gjë mes të dyjave”, u shpreh Lela