U prit me protesta, Vuçiç në Tiranë: Marrëdhënia me Ramën nuk ndryshon

POLITIKË


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç u prit me protesta nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje gjatë vizitës në Tiranës. Vuçiç, i cili do marrë pjesë në samitin e tretë të Shengenit Ballkanik, tha se këto protesta nuk e shqetësojnë dhe as nuk ndryshojnë marrëdhënien e tij me Ramën. Pas përfundimit të takimit në “Rogner”,  Vuçiç foli për mediat serbe duke u shprehur se “protesta është normale në demokraci dhe nuk e shoh si problem”.

Sipas tij këto protesta nuk do të bëjnë që të ndryshojnë qëndrimin politik dhe të menduarit politik. “Kjo nuk do të bëjë që unë të ndryshoj marrëdhënien apo që Edi Rama të ndryshojë marrëdhënien. Nuk kam çfarë të them për ata njerëz atje…Nuk e kuptojnë realitetin, nuk kanë vizion për të ardhmen, ky është problemi i tyre”, ka deklaruar Vuçiç.

Më tej, Presidenti serb është shprehur se nga Mini-Shengeni ballkanik të gjithë do të përfitojnë. “Fola me presidentin e Malit të Zi, Gjukanovic… mendoj se do të jetë mirë për Malin e Zi, mendoj që do të jetë mirë për gjithë rajonin”.  Vuçiç konfirmoi se samiti i radhës do të jetë në fund të janarit në Beograd ku do të nënshkruhen marrëveshje konkrete.



Skip to toolbar