Nga 1 Janari i vitit 2020 të gjitha automjetet e përdorura që nuk përmbushin standardin euro 4 do të ndalohet të importohen në Shqipëri. Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor Blendi Gonxhja thotë se pas datës 31 dhjetor 2019 importi do të lejohet për standardin Euro 4 por që vjetërsia e mjeteve duhet të jetë nga viti 2005 e në vijim çka përjashton automjetet e viteve 2004 e më poshtë.
“Të gjithë shitësit e automjeteve por edhe personat privatë që kanë eksportuar mjete të nivelit nën euro 4 para vitit 2019 pra deri në 31.12.2018 dhe këto janë një stok të paregjistruara në Shqipëri duhet patjetër që të nxitojnë të bëjnë regjistrimin dhe targimin e tyre brenda 31.12.2019 sepse pas kësaj date nuk do të lejohet më regjistrimi. Pra edhe në rast se i kanë futur makinat, në rast se e kanë importuar dhe makina ka paguar doganën dhe ka kryer detyrimet dhe është thjesht një objekt i paregjistruar do të humbi të drejtën për tu regjistruar”, deklaroi Gonxhjae në një intervistë për News 24.
Vendimi për të ndaluar importin e makinave që nuk përmbushin standardin euro 4 ishte parashikuar të hynte në fuqi në Janar të këtij viti por u shty për në 1 janar 2020 për shkak se tregtarët e makinave ngritën shqetësimin se shumë automjete të blera nuk plotësonin kriterin euro.
“Ky vendim është marrë që në pranverën e vitit 2019 pra u dëgjua një shqetësim i komunitetit të tregtarëve të këtyre automjeteve të cilët me të drejtë thoshin që Ok politikat ndryshon për sa i përket kategorisë mjedisore, por na lini që këto automjete t’i shesim normalisht në treg dhe të mos na detyroni t’i regjistrojmë ato përpara se mos t’i kemi gjetur një blerës. Për këtë arsye ministria dhe DPSHTRR propozuan ndryshimin e VKM dhe i lanë një afat 1-vjeçar që këto makina mund të regjistrohen brenda këtij viti deri në 31 dhjetor 2019”, u shpreh Gonxhja.
Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së përgjithshme të shërbimit të transportit rrugor në 11 muaj kanë hyrë në vendin tonë 5986 mjete euro 4 e lart ose 43% mjete më të reja çka sjell ulje të ndotjes së ambientit.
“Ndryshe nga viti 2018, brenda mjeteve që vijnë euro 4 në Shqipëri kemi 5986 mjete 43% më shumë mjete euro 4 e lart. Pra do të thotë kemi një flotë që rinovohet dhe si numër po pakësohet”, tha Blendi Gonxhja. Ndërkohë, sa i takon makinave me kilometrazh zero ato duhet të përmbushin kategorinë mjedisore EURO 5 dhe EURO 6. Ndërsa makinat euro 4 që janë në qarkullim nuk preken nga ky vendim.