Balla: SPAK të rihapë hetimet për CEZ. Zyrtarë të Berishës, të implikuar

AKTUALITET


Kreu i Grupit Parlamentar i PS-së Taulant Balla kërkon rihapjen e hetimeve për dosjen “CEZ” duke thënë se në këtë aferë korruptive janë të implikuar zyrtarë të lartë të qeverisë “Berisha”, dhe kjo çështje nuk mund të mbyllet nga Gjykata e Tiranës. Ai ka paraqitur kërkesën që Gjykata e Tiranës të shpallë moskompetencë dhe kjo çështje të rihetohet nga SPAK.

Në një prononcim për mediat Taulant Balla tha se kjo çështje është hetuar nga Kuvendi dhe gjykata nuk mund ta mbyllë me pretendimin se nuk i merr dot dëshminë, personit kyç pasi ai nuk gjendet, ndërkohë që personi kyç duhet të merret në pyetje dhe dihet se ndodhet në Kosovë.

“Janë kallëzuar një sërë funksionarësh nga qeveria Berisha. Kam patur nderin të drejtoja komisionin hetimor për çështjen ‘CEZ’. Jam paraqitur në gjykatë me përfaqësues të Kuvendit për këtë çështje. Asnjë prej personave të akuzuar, as dëshmitari, as personi kyç nuk janë marrë në pyetje. Çështja ‘CEZ’ duhet të kalojë në një gjykatë ku besimi i qytetarëve është i lartë. Kjo çështje duhet të hetohet më gjerësisht.

Reforma ne drejtësi ka garantuar që më në fund të kemi një prokurori të pavarur.

Nuk është marrë në pyetje dëshmitari kyç, Nuel Kalaja, që tërhoqi ditën për diell 6.8 milionë euro. Është paguar nga CEZ  me mbi 6.8 milionë euro dhe nuk është marrë në pyetje nga prokuroria. Presim që SPAK dhe Gjykata e Posaçme, tani që kanë marrë kompetencat e duhura, të hetojnë mbi këtë aferë. Viti 2020 duhet të nisë me një seancë tjetër gjyqësore për sa kohë që nuk ka më dyshime se kjo gjykatë për publikun është më e besueshme. Ajo që po ju them është se prokuroria nuk ka kryer asnjë veprim hetimor. S’mund të mjaftohet prokuroria me dërgimin e letrës në Kosovë dhe çështja është mbyllur në faktin se Kalaja nuk gjendet. Kjo çështje nuk mund të mbyllet meqë personi nuk gjendet. Kur në fakt, ai dihet, ai del publikisht në Kosovë, ndaj kjo çështje nuk mund të mbyllet, por duhet të zgjerohet. Kjo është e vetmja çështje, kur Kuvendi ka mbyllur hetimet. Këto janë çështje që opinioni publik mezi i pret për të çuar para drejtësisë këdo”, është shprehur Balla.

Rreth një vit më herët biznesmeni Nuel Kalaja, i akuzuar se ka luajtur rolin e sekserit për marrëveshjen e privatizimit të OSSH mes kompanisë çeke të energjisë CEZ dhe qeverisë Berisha, i cili nuk është paraqitur për të dëshmuar në Shqipëri, është shfaqur publikisht në Kosovë në krah të kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj.

Për dosjen CEZ, janë marrë në pyetje në prokurori pak kohë më parë Shkëlzen Berisha, ish-ministri i Ekonomisë Genc Ruli dhe një sërë ish-zyrtarësh të tjerë, pasi dyshohen si të implikuar në një aferë korruptive.

Ndërsa komisioni hetimor parlamentar i ngritur për këtë çështje në konkluzionet e tij nxori të dhëna që komprometojnë rëndë pozitat e tre ish-ministrave të qeverisë ‘Berisha’, Ridvan Boden, Florion Mimën dhe Genc Rulin.



Skip to toolbar