Rama fiton gjyqin ndaj Berishës. Gjykata gjobit ish-kryeministrin

POLITIKË


Gjykata e Tiranës ka dënuar për shpifje ish-kryeministrin Sali Berisha duke e gjobitur me shumën 5 milionë lekë të vjetra. Padia ishte bërë nga kryeministri Edi Rama, 4 muaj më parë.

Vendimi u mor nga gjyqtarja Marjana Shegani, ku vendosi se ish kryeministri Sali Berisha duhet të paguajë një shumë prej 5 milionë lekësh të vjetra si dhe të fshijë postimin e tij në rrjetet sociale, për të cilin dhe u padit. Megjithëse ky vendim është i shkallës së parë dhe nuk ka ende një formë të prerë të tij, është një tjetër fitore e kryeministrit Rama në betejat që ai ka nisur kundër shpifjes.


Në një postim rreth një viti më parë, ish kryeministri Sali Berisha hidhte akuza ndaj Ramës se Gjermania i ka mohuar hapjen e negociatave për shkak se mbron në parlament kriminelët si Taulant Balla dhe Sajmir Tahiri.

“Kohët fundit jo vetëm qeveri të vendeve kryesore të Bashkimit Europian por dhe vet Parlamenti Europian dhe më në fund edhe Komisioni Europian janë deklaruar haptas kundër diskutimit për hapjen e negociatave me Shqipërinë për shkak të krimit të organizuar në nivelet më të larta të pushtetit, me fjale të tjerë për shkak të familjeve mafioze Rama – Xhafa – Balla -Tahiri. Sqaroj këtu se vetëm 6 muaj më parë Komisioni Europian dhe Parlamenti Europian i rekomanduan Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian që u mblodh më 28 qershor 2018, hapjen pa kushte të negociatave me Shqipërinë por ky propozim u hodh poshtë unanimisht në Samitin e BE për shkak të lidhjeve të qeveritareve me krimin e organizuar dhe korrupsionin” shkruante ndër të tjera Berisha, postim të cilin me urdhër gjykate i duhet ta fshijë.

Ky postim u cilësua si shpifje nga kryeministri Rama, i cili e paditi atë në Gjykatën e Tiranës duke kërkuar dëmshpërblim prej 10 milionë lekësh të vjetra dhe fshirje të këtij postimi. Gjykata pranoi të vendoste një gjobë prej 5 milionë lekësh të vjetra dhe ish kryeministri Berisha të fshijë postimin e tij të një viti më parë. 

Kryeministri Rama ka depozituar në gjykatë 40 padi ndaj opozitës për shpifje të artikuluara nga ish-deputetë të opozitës, ndërkohë që në Kuvend në seancën e fundit për 2019 u kalua edhe ligji i anti-shpifjes, duke vendosur rregulla më të forta në lidhje me shpifjen dhe fake news.




Skip to toolbar