Kryeministri Rama ka inspektuar nga afër mëngjesin e së shtunës, nisjen e rikonstruksionit të pallateve të dëmtuara nga tërmeti në qytetin e Durrësit, në zonën e plazhit. Kryeministri tha se kanë nisur punimet për pallatet e dëmtuara nga tërmeti dhe këto punime po financohen nga vetë ndërtuesit të cilët po bëjnë përforcim strukturor dhe meremetim tërësor muraturash të dëmtuara, bazuar në standardet e EUROCOD-it.
Sipas kryeministrit këto pallate e kanë mbajtur mirë goditjen nga ana e strukturës, por me këto përforcime do të jenë shumë më të forta se sa përpara tërmetit.
Rama bisedoi dhe me inxhinieret që kanë marrë përsipër riparimin e pallatit si dhe grupet e punës në terren.
“Po përforcojmë kolonat. Po bëjmë punimet nga bodrumi poshtë. Kemi bërë ashensorët. Kemi mbathur kolonat dhe i kemi zgjedhur. Që objekti të jetë sa më i fortë dhe i qëndrueshëm”, tha një nga inxhinierët i cili tha se kjo punë do të përfundojë brenda 3 muajve.
“Më shumë ka rëndësi që ta shohin dhe te tjerët, dhe njerëzit që presin që të hyjnë në këto godina. Eshtë psikologjike. Dhe unë të isha dhe ata që e kanë parë, nuk mund të futen në një shtëpi ku mendojnë se do i këputen kolonat”, tha kryeministri.
Pas tërmetit të 26 nëntorit, qeveria ka marrë përsipër rindërtimin e banesave të shembura nga ky tërmeti.