Zjarri i rënë në një pallat në qytetin e Pogradecit ka përfshirë dy katet shtesë të ndërtesës duke dëmtuar 12 apartamente. Bilanci i dëmeve është i madh, ndërsa bashkia e Pogradecit ka deklaruar se do të merren të gjitha masat për të strehuar banorët, banesat e të cilëve u shkatërruan nga zjarri.
Nuk dihen arsyet si nisi zjarri, por fillimisht ajo ra në çatinë e pallatit dhe më pas u përhap në dy katet poshtë duke dëmtuar 12 apartamente. Nga ngjarja mbetën të plagosur dy zjarrfikës, teksa ishin duke fikur flakët e zjarrit që përfshinë pallatin 5-katësh. Shkak i zjarrit dyshohet se ka qenë një bombol gazi.
E gjithë zona u përfshi nga shtëllunga tymi dhe flakë të mëdha zjarri duke shkaktuar panik te banorët. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë zjarrfikësit dhe kanë bërë të mundur evakuimin e familjeve duke shmangur kështu lëndimin e tyre. Në operacionin e shuarjes së flakëve morën pjesë zjarrfikësit e Pogradecit, Elbasanit, Korçës, Përrenjasit dhe Maliqit.
Ndërkohë Entela Gusho, nënkryetarja e Bashkisë së Pogradecit, tha se janë djegur 12 apartamente dhe se dy katet që janë përfshirë nga flakët në këtë pallat kanë qenë shtesë. Ndërkohë bashkia ka njoftuar se do të gjejë strehë për familjet që kanë mbetur jashtë si pasojë e djegies së apartamenteve të tyre.