Opozita sulmoi SPAK, Balla: I pakuptimtë, përzgjedhja u bë përmes një procesi të detajuar

POLITIKË


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla i ka dalë në mbrojtje SPAK nga sulmet e opozitës duke i cilësuar ato si të pakuptimta. Balla tha se ditën që u ngrit SPAK u përshëndet dhe nga PD, ndërsa vetëm një ditë më pas ajo nisi sulmet duke vijuar me historitë e përhershme. I ftuar në RTSH, Balla tha se përzgjedhja e Prokurorëve në SPAK është bërë përmes një procesi shumë të detajuar të Vettingut dhe sulmet ndaj drejtuesit të SPAK, Arben Kraja dhe anëtarit  Altin Dumani janë të pakuptimta.

“Unë ju thashë që përzgjedhja e Prokurorëve në SPAK është bërë përmes një procesi shumë të detajuar të Vettingut. Edhe pjesa që lidhet me Arben Krajën si drejtues i SPAK për mandatin e parë 3 vjeçar dhe për Altin Dumani, që kush e di kur para sa vitesh paska pirë një kafe me Ulsi Manjën. Të dyja këto nuk janë arsyetime korrekte, sepse është e pakuptimtë. PD në datë 18 përshëndet ngritjen e SPAK dhe më pas ditën tjetër fillon historinë e radhës për anatemimin e SPAK.


Nuk është hera e parë që sulmohet Kraja për shkak se në ditën e parë të punës së tij ka qëlluar në vitin 1989 apo 1990. Këtë çështje ndaj këtij Prokurori e kam dëgjuar dhe para 10 apo 12 viteve kur ky Prokuror kishte dosjen e rrugës Durrës-Kukës të Lulzim Bashës”, deklaroi Balla.

Opozita sulmoi Arben Krajën si sigurims dhe hetues të komunizmit, ndërsa Altin Dumanin si të lidhur me politikën për shkak të një foto ku shfaqet me Ulsi Manjën. Për këto akuza reagoi një ditë më parë edhe KLP, e cila deklaroi se prokurorët e SPAK janë hetuar me imtësi për 9 muaj, por opozita iu përgjigj ashpër kësaj deklarate duke cilësuar kreun e KLP, Gent Ibrahimi si militant të PS.




Skip to toolbar