Gjykata ka lënë të lirë në mungesë të provave një nga të arrestuarit si “informator” i grabitësve në Rinas, ku mbeti i vrarë Admir Murataj. Lirohet nga qelia Hasan Kanaci, punonjës i kargos, i cili u arrestuar pasi iu gjetën në banesë 100 mijë euro. Gjykatësi Bibë Ndreca tha se eurot e gjetura në banesën e Kanacit nuk rezultojnë të kenë prerje me numër serie të njëjtë me ato që janë vjedhur nga bankat e nivelit të dytë.
Gjyqtari Bibë Ndreca ka marrë vendimin për lirimin e tij, ndërsa nga tabulatet telefonike, nuk rezulton që ai të ketë biseduar në asnjë rast me ndonjë nga grabitësit.
Ditën e arrestimit policia sekuestroi 100 mijë euro në banesën e Kanacit, por ai pretendoi se i ka përfituar nga shitja e disa pronave.
Grabitja në Rinas ndodhi më 9 prill 2019, ku 5 grabitësit u futën në pistë me një fugon me mbishkrimin “Hetimi Tatimor” dhe realizuan grabitjen spektakolare të 4.6 milionë eurove.
Pak metra larg aeroportit në Tapizë u vra Admir Murataj, organizator i grabitjes, i kërkuar për një sërë grabitjesh të tjera. Grupi thuajse është shkatërruar falë dëshmisë së të penduarit Alkond Bengasi, por sërish ka bashkëpunëtorë që nuk janë vënë në pranga.