Pas Mini-Shengen, PD sulmon Serbinë: Kërkon destabilizim të Ballkanit

AKTUALITET


Partia Demokratike e Shqipërisë, duke u nisur nga ngjarjet që po ndodhin në Malin e Zi, përmes një deklarate zyrtare të shpërndarë për mediat ka sulmuar ashpër Serbinë duke e akuzuar atë se po nxjerr nga sirtarët projektin e vjetër që synon destabilizim të Ballkanit. Reagimi i PD-së, vjen vetëm pak ditë pas zhvillimit të takimit rajonal të quajtur Mini-Shengen, që u zhvillua në Tiranë dhe ku pjesëmarrës ishin si presidenti i Serbisë ashtu dhe ai i Malit të Zi dhe ku që të gjithë liderët theksuan se ky takim i shërben jo vetëm paqes dhe stabilitetit në rajon por edhe thellimit të bashkëpunimit mes vendeve me qëllim anëtarësimin sa më parë në BE. Megjithëse në asnjë moment PD nuk e përmend Mini-Shengenin, në deklaratë nënkuptohet se është kundër kësaj nisme. Sipas PD-së ka ardhur koha që gjërat të thuhen në sy dhe koha lojërave ka përfunduar.

“Është e pamundur të flitet për paqe, bashkëpunim, zhvillim, për projekte unifikimi apo bashkërendimi shtetëror, ndërsa, nën tavoline, të projektohen konflikte  destabilizuese dhe epërsi force”, theksohet në deklaratë.

“Partia Demokratike e Shqipërisë po ndjek me shqetësim ngjarjet e fundit në Mal të Zi. Fqinji ynë verior prej disa ditësh po përballet me një përpjekje të qartë për destabilizim. Konstatojmë me keqardhje se çka po ndodh nuk është një ngjarje e re. Në Mal të Zi, përpjekjet për cenim të sovranitetit, konsolidimit të shtetit, standardeve demokratike dhe orientimit euroatlantik, kanë dhe të tjerë precedentë në një kohë jo të largët.

Këtë radhë si shkak i këtyre përpjekjeve janë vendime legjitime të parlamentit dhe institucioneve ne Mal te Zi për të plotësuar sovranitetin e shtetit dhe shkëputjen përfundimtare të çdo sektori nga ndikimi i Beogradit.

Edhe pse të ndryshme në formë apo gjeografi, përpjekjet janë të njëjta në përmbajtje. Është tashmë e qartë se ato nxiten nga e njëjta mendësi nga i njëjti projekt që i shkaktoi Ballkanit dhimbje, tragjedi e viktima disa dekada më parë dhe rikthehet i pa penduar, përherë agresiv e i pabesë, sa herë gjen hapësire.

Projekti për t’i siguruar Serbisë një rol ndikues në hapësirën ballkanike, duke nënshtruar entitete etnike, fetare, politike që kërkojnë pavarësi, qëndron aty si një mallkim për Serbinë dhe si një plagë që nuk po shërohet për Ballkanin. Popujt e Ballkanit e njohin mirë këtë projekt, popujt e Ballkanit e kanë refuzuar këtë projekt, edhe kur kjo ka kushtuar luftëra, viktima e tragjedi”, shkruhet në deklaratën e PD.

Sipas PD, roli hegjemon i Serbisë ne Ballkan, pavarësisht çdo lloj forme që mund të prezantohet është një përpjekje e pamundur.

Partia Demokratike thekson se mbështet pa asnjë rezervë përpjekjet dhe hapat e Malit të Zi fqinj drejt integrimit euroatlantik, konsolidimit të sovranitetit shtetëror dhe hapave që fuqizojnë bashkëjetesën etnike në atë vend.

Partia Demokratike thekson se beson se integrimi i plotë në bashkësinë euroatlantike është alternative e sigurt dhe e pazëvendësueshme për zhvillim, paqe e bashkëjetesë në rajonin tonë.

“Fantazmat e konfliktit nga e shkuara, projektet për dominim, pavarësisht nëse bëhen nën egërsinë e armëve apo elegancën e tryezave, janë njësoj të rrezikshme dhe si përfundim kanë përherë tragjeditë.

Popujt e Ballkanit kanë humbur shumë kohë përgjatë historisë në rrugën e konflikteve e përpjekjeve për dominim. Sot nuk ka më kohë për te humbur drejt rrugës që u siguron paqe e zhvillim te drejtë, kjo rruge mbetet integrimi tërësor i rajonit në bashkësinë euroatlantike si bashkësi vlerash, dinjiteti e zhvillimi”, përfundon deklarata e PD.

Pak ditë më herët parlamenti i Malit të Zi miratoi ligjin për pronat e Kishës që t’i kalojnë shtetit, ligj ky që u kundërshtua ashpër nga deputetë serbë në parlament dhe që solli trazira në vend.



Skip to toolbar